Nga Myzejen Myftari

Unioni Shqiptar i Teologeve organizoi më 23 dhjetor 2023 aktivitetin edukativo- kulturor “Leximi sfidon kohën” në nder të shpalljes së fituesve të konkursit mbarëshqiptar me ese “Ikra-Lexo”, i ideuar për pjesëmarrjen e adoleshentëve nga mosha 14-18 vjeç.

Aktiviteti, i pari i llojit të tij ndër trevat shqiptare, u organizua në ambjentet e Kalasë së Tiranës, me pjesëmarrjen e konkurenteve të përzgjedhura në listën e shkurtuar, familjarëve dhe shoqërisë së tyre, studente fituese të çmimit të ekselencës, si dhe të ftuar të tjerë.

Moderuar me profesionalizëm dhe ngrohtësi nga gazetarja Diniela Lera, pasditja, solli mjaft të papritura të këndëshme si dhe përcolli emocione të bukura, vlera dhe mesazhe pozitive drejtuar veçanërisht moshave të reja.

Duke treguar mbi tematikën e eseve të paraqitura znj. Lera theksoi për të pranishmit se konkursi u iniciua si pjesë e aktiviteteve në nderim të muajit të lindjes së Profetit Muhamed, mbi të qoftë paqja.

Tema e konkursit “Ikra-Lexo” – tha znj. Lera – e ka burimin tek fjala e parë që Krijuesi i Gjithësisë i ka zbritur Profetit Muhamed (a.s) nga Kurani Fisnik. Revelata e fundit hyjnore fillon me një fjalë, me një urdhër, dhe ajo është: “Ikra” që në shqip do të thotë “Lexo”, kërko dije, eduko vetveten, arsimohu. Vetëm kjo fjalë do të mjaftonte të tregonte madhështinë e Kuranit, të këtij libri të mahnitshëm të cilin sa më shumë ta lexosh aq më shumë do të mrekullohesh.

Gjithkush që lundron në oqeanin e pafund të dijes hedh themelet jo vetëm të vetësuksesit por edhe të zhvillimit të të gjithë shoqërisë.

Me stimulim, punë, me vullnet dhe përpjekje të vazhdueshme, duke sfiduar vështirësitë dhe duke e konsideruar dështimin e një përpjekje si hapin e parë drejt suksesit, jeta na tregon çdo ditë, nëpërmjet shembujve të gjallë, se nëse lexon, arsimohesh dhe kulturon veten, asgjë nuk është e paarritshme, edhe nëse njerëz të ndryshëm kanë aftësi të ndryshme. Këto mesazhe solli për të pranishmit në sallë Tarkan Bashllari, student i shkencave politike dhe poet, i cili edhe pse i diagnostikuar me probleme të skeptrit autik, tregoi se gjithçka është e mundur kur ke kujdesin dhe ngrohtësinë e familjes, të rrethit të afërm dhe të shoqërisë. Ai lexoi dy poezi nga libri i tij “Lule në të çarat e shkëmbit” të cilat përlotën të pranishmit në sallë dhe bënë që gjithkush të pyesë vetën:  – Po unë? Ku qëndroj unë në jetë përballë këtij djali luftarak, me energji pozitive?

I ftuar nderi në këtë pasdite vlerash ishte autori, pedagogu i Universitet Publik, publicisti, eseisti dhe kritiku, Dr. Agim Baçi, i cili foli për ndikimin e leximit në psikologji.

Në këtë botë anti-vlerash ku lexues të mirë ka më pak se shkrimtarë të mirë, leximi ka tendencën të kthehet në sfidë për shoqërinë në përgjithësi dhe brezin e ri në veçanti – tha Dr Baçi.

Leximi ka rëndësi për psikologjinë e njeriut pasi ai është dritë për njeriun në botën e dilemave. Ai është busull orientimi në horizontin e pafund që çan errësirën e natës. Fuqia e bashkëndarjes së ndjesive që shkakton leximi mbetet një magji e pandërprerë, përfundoi Dr. Baçi.

Pasditja vazhdoi me dy studente, Sidra Shega dhe Laura Kërtalli, dy fituese të çmimit “Ekselente” dhe vlerësuar me medalje ari nga kryeministri i Shqipërisë për rezultate të shkëlqyera në mësime. Të dyja vajzat, pasi falenderuan Krijuesin për mirësitë që ju ka dhënë në jetë, falënderuan familjet dhe mësueset e tyre për përkushtimin dhe investimin që kanë bërë në forminin dhe arritjet e tyre të deritanishme.

Ndërmjet të tjerash, Kërtalli theksoi për bashkëmoshatarët se çdo këshillë apo kujdes i prindit është në të mirën tonë. Edhe nëse ju duket i bezdisshëm sot, apo ju duket se ju pengon të bëni ato që dëshironi, në fakt ai është udhëzuesi që ju hap dyert e suksesit nesër. Falënderoj Zotin që e kuptova këtë shumë herët dhe uroj që çdo i ri apo e re ta kuptojë këtë për të mirën dhe suksesin e tij në të ardhmen.

Ndërsa Shega shtoi se është shumë e rëndësishme të gjejmë mesin e artë dhe të vemë një balancë në jetë ndërmjet detyrave, argëtimit dhe dëshirave. Vetëm kështu mund t’i bëjmë ëndërrat realitet dhe të arrijmë të përcjellim mesazhin që kemi brenda vetes -tha ajo.

Në fund të takimit u shpallën fituesit e konkursit.

Fituese e çmimit të parë të konkursit Ikra -Lexo, ishte 15 vjeçarja nga Tirana, Dalila Kodra.

Çmimin e dytë e fitoi Ajna Hala.

Çmimi i tretë shkoi për Merjem Bregun.

U vlerësuan me çmime motivimi, Elsada Zekaj, Sanja Hoxhallari dhe Dioresa Hasbegu.

Duke shpresuar të ritakohemi për visione të reja, gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë ata që kontribuan për organizimin e takimit, Klodiana Toptanin që mundësoi ambjentet e Kalasë së Tiranës, Dinela Lerën, Dr. Agim Baçin, Tarkan Bashllarin, Luljeta Mustafajn, vajzat konkurente, grupin iniciator të Unionit Shqiptar të Teologeve, vajzat e grupit të organizatoreve dhe të gjithë të pranishmit që mundësuan realizimin me sukses të këtij aktiviteti të rëndësishëm për nxjerrjen në pah të vlerave dhe aftësive të brezit të ri dhe për sfidimin e antivlerave me të cilat përballet shoqëria sot. /tesheshi.com/