Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqipe, feston sot 88-vjetorin e tij të lindjes.
Autoritetet publike në vend përcollën mesazhe urimi.
Begaj: Kadare, urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përcolli urimet për shkrimtarin, teksa e quajti atë edhe një urë të fortë dhe të bukur tonën me perëndimin.
“Jetë të gjatë dhe shëndet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare! Universi i tij i mrekullueshëm letrar i përcolli Shqipërinë perëndimit, nëpërmjet Ilirisë, legjendave ballkanike, Homerit në epopetë shqipe dhe Eskilit në dramat e kohëve moderne. Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin”, shkruan Presidentin Begaj.
Rama uron Kadarenë: Edhe 100
Kryeministri Edi Rama uroi shkrimtarin Ismail Kadare në 88-të vjetorin e lindjes.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje të momenteve të jetës së tij në kohë të ndryshme shoqërua me një këngë, me vargjet e poezisë së tij ‘Në parkun që mbuluan fletët’.
“Dedikuar shkrimtarit “Nderi i Kombit”, Ismail Kadare.Edhe 100″, shkruan kryeministri Rama.
Gonxhja: Kadare, një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë
Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot Kadarenë, duke e cilësuar atë sin jë nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë.
“Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Kontributi i tij është një pasqyrë e thellësisë së kulturës dhe historisë shqiptare, duke krijuar vepra që sfidojnë kohën dhe duke ofruar një perspektivë mbresëlënëse. Gëzuar ditëlindjen mjeshtër!”, u shpreh ministry.
Veliaj uron 88-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë: Kolos i letërsisë shqiptare
Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare feston sot 88-vjetorin e lindjes.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar gjeniun e letrave shqipe.
“Gëzuar ditëlindjen kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare”, shkruan Veliaj.
Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tija më të njohura letrare, Ismail Kadare është kthyer nga Bashkia Tiranë në muze. Banesa ndodhet në një prej pallateve me më tepër histori në kryeqytet në qendër të Tiranës, ku shkrimtari ka jetuar për rreth 15 vite dhe ka shkruar disa nga kryeveprat e tij.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, në një ceremoni të posaçme në Pallatin e Brigadave, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare, në tetor të vitit 2023, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të lartë, në urdhërin e Legjionit të Nderit”, u shpreh presidenti francez Macron, teksa i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e nderit.
Ismail Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm. Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi (“Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj).
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme që përbëjnë krijimtarinë e tij letrare.
Veprat e tij janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Që nga vitin 1994 I. Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është laureat i shumë çmimeve. Në 2005, Ismail Kadare fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me mirënjohje të tjera.