Në parkun natyror të Krastës në Elbasan është drejt fundit investimi për hidrantet që do të mundësojnë mbrojtjen nga zjarret në pyje, si dhe ku vazhdon mbjellja e 15 mijë fidanëve të rinj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë në aksionin e organizuar nga bashkia për mbjelljen e fidanëve të rinj dhe pastrimin e Krastës.

Ministrja Kumbaro tha se “kjo mënyrë duhet shtrirë në të gjitha bashkitë. Është e vërtetë që vitet e fundit ne kemi pasur shumë dëme edhe në Elbasan e Pishë Poro, ku aje kemi filluar edhe rehabilitimin. Më vjen mirë që bashkia e Elbasanit ka filluar këtë investim të ri me hidrantet”.

Kumbaro tha se 2024 e kemi shpallur “Vitin e pyjeve” dhe ajo që është e rëndësishme është që viti pyjeve nuk do të thotë vetëm pyllëzim, sepse nuk e pyllëzojmë dot Shqipërinë në atë masë vetëm për një vit, por edhe masa të marra edhe investime që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen, me masat parandaluese kundër zjarreve siç po bëni ju është pjesë e po të njëjtit program”.

“Të ardhurat që nxjerrim nga ekonomitë pyjore, çdo bashki duhet t’i riinvestojë në planet e menaxhimit, por jo çdo bashki e ka bërë këtë gjë. Bashkitë janë administruese të pyjeve në territor. Në janar do të kemi një skanim të gjithë situatës”, tha Kumbaro.

Llatja tha se “Krasta është mushkëria e Elbasanit, kjo është pjesa ku të gjithë qytetarët dalin për ecje pasdite. Është afër qytetit dhe është parku kryesor natyror që ne kemi. Kemi pas probleme vitet e kaluara për shkak të zjarreve, këtë vit e kemi menaxhuar edhe me roje”.

“Po ashtu këtë vit kemi marrë masa që të shtojmë hidrantet, kemi vendosur tubacionet e ujit për t’u furnizuar zjarrfikëset që uji të jetë pranë objekteve”, tha Llatja.

Sipas tij, vendosja e hidranteve ka filluar në nëntor dhe brenda këtij viti pritet të përfundojë.

Deri në mars të 2024 synohet mbjellja e 35 mijë pemëve në bashkinë e Elbasanit. Më herët, Kumbaro ishte edhe në Librazhd, një ndër bashkitë me sipërfaqen më të madhe pyjore, ku u mbollën 5 mijë pemë në Marinaj.

Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria e Shqipërisë si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët. Më herët, viti 2022 iu dedikua pastrimit dhe mjedisit, ndërsa viti 2023 ishte viti dedikuar Vjosës, me krijimin e Parkut Kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë./ata