Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e shoqëruar edhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar ambientet e transformuara të Qendrës Shëndetësore Libohovë në të cilën rreth 4500 banorë të saj marrin shërbime cilësore dhe në kohë pranë vendbanimit.
Koçiu theksoi se, kjo qendër tashmë me kushte bashkëkohore u vjen në ndihmë të gjithë banorëve për shërbimet që ofrohen që nga kontrolli bazë falas mjekësor si dhe vaksinimi falas kundër gripit dhe HPV-së.
Ministrja Koçiu u shpreh se, stafi i mjekëve dhe infermierëve i janë përgjigjur edhe fluksit të virozave të dimrit me një mbulesë të lartë të vaksinës kundër gripit te grupet e riskuara.
Ajo bëri të ditur se, në Qendrën Shëndetësore Libohovë janë aplikuar deri tani rreth 500 doza të vaksinës kundër gripit te grupet e riskuara ndërsa vijon kryerja e vaksinës kundër HPV për vajzat mbi 13 vjeçe si dhe për gratë e moshës 40-49 vjeçe.
“E lumtur kur takuam edhe vogëlushen 14- vjeçare e cila ishte në pritje për të kryer vaksinën e HPV-së”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar dozat e vaksinave në të gjithë vendin për grupet e riskuara, fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna./ata