“Pretty Woman” është një nga filmat më ikonikë të viteve ’90. Për aktoren Julia Roberts do të jetë gjithnjë filmi që e bëri emrin e saj të njohur teksa luante përkrah Richard Gere.
Julia ishte në rolin e një punonjëseje seksi, të quajtur Vivienne Wood e cila një natë takon Edward Louis, një biznesmen i suksesshëm që luhej nga Richard Gere.
Premtimi për të qëndruar vetëm një natë me të në këmbim të pagesës kthehet në një dashuri që tejkalon paragjykimet e kohës.
Asokohe, filmi shënoi rekorde në arkat e kinemave dhe u kthye në numrin 1 të atyre viteve. Të dy aktorët patën edhe një bashkëpunim tjetër në filmin “Runaway Bride”.
Një grua e re ka tentuar disa herë të martohet, por asnjë rast nuk është finalizuar. Ajo përpiqet që mos ta përsërisë historinë herën e katërt me një gazetar, por e braktis edhe atë në ditën e martesës. Pas shumë peripecish, Margaret kthehet sërish dhe çifti shkruan fundin e tij të lumtur.
Në një intervistë të fundit, Julia ka ‘parashikuar’ edhe fatin e dy roleve të saj. Për “Pretty Woman”, 56-vjeçarja tha: “Mendoj se ai ndërron jetë në gjumë nga një infarkt, duke buzëqeshur. Dhe tani ajo drejton biznesin e tij”.
Por e kundërta ndodh për Margaret. “Ata qëndrojnë bashkë. Ai nuk vdes”. Ndryshe nga “Pretty Woman”, “Runaway Bride” u ‘masakrua’ nga kritika, por arriti të grumbullonte rreth 310 milionë dollarë në arka.