Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka mbajtur konferencën e fundvitit, ku ka shpalosur punën e saj gjatë vitit 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se PSRK-ja edhe gjatë vitit 2023 është ballafaquar me raste kur të dyshuar ishin zyrtarë të lartë shtetërorë e të cilët u hetuan në mënyrë profesionale.
Isufaj tha se PSRK-ja u përball me lloje të ndryshme të kriminalitetit, por, sipas tij, tregoi gatishmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në punë.
“Gjatë vitit 2023, PSRK ka regjistruar gjithsej 306 lëndë, nga lëndët e pranuara për secilin departament me shpërndarje si në vijim: Departamenti për Krim të organizuar dhe krime të tjera nën kompetencën e PSRK-së me 37 lëndë; Departamenti për korrupsion dhe krim financiar me 172 lëndë; Departamenti për krime lufte 46 lëndë; dhe departamenti për terrorizëm 51 lëndë”, theksoi Isufaj, duke shtuar se gjatë vitit 2023, PSRK-ja ka zgjidhur 239 lëndë gjithsej.
I pyetur nga gazetarët për çështjen e mosngritjes së aktakuzës ndaj organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, Milan Radojiçiq, i cili e ka pranuar se qëndronte prapa këtij organizimi, kryeprokurori Isufaj tha se kjo është çështje e prokurorisë.
Isufaj tha se në këtë çështje nuk duhet të përzihen personat jokompetentë dhe se në momentin që bëhet hetimi dhe sigurohen provat do të ngrihet aktakuza.
“Sa i përket çështjes së tërheqjes së urdhërarrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim, është tërhequr për një kohë urdhërarresti i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, theksoi Isufaj.
Isufaj tha se gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale ka sekuestruar mbi 41 milionë euro pasuri të rrjedhur nga aktiviteti kriminal./aa