Kanali i Suezit, i cili lidh Mesdheun me Detin e Kuq, është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë.
I hapur më shumë se 154 vjet më parë, Kanali i Suezit është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në ekonominë egjiptiane dhe rreth 12 për qind e tregtisë globale kryhet nëpërmjet tij.
Është hapur më 17 nëntor 1869, kur Egjipti ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe sot kanali 193 kilometra i gjatë ndodhet brenda kufijve të Egjiptit.
Është ndër kanalet ujore më mbresëlënëse, por edhe më të ngarkuara në botë, të ndërtuara nga puna njerëzore.
Kohët e fundit, trafiku përmes kanalit është reduktuar ndjeshëm për shkak të sulmeve nga lëvizja jemenase Houthi mbi anijet tregtare që lundrojnë nëpër Detin e Kuq.
Këto sulme u nisën në përgjigje të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.
Kompanitë po devijojnë anijet tregtare nëpërmjet rrugës së Kepit të Shpresës së Mirë për të shmangur hyrjen në Detin e Kuq, duke i shtuar 10-14 ditë udhëtimit dhe anijet mbulojnë rreth 4,000 milje detare (6,500 kilometra) më shumë se kur udhëtojnë përmes rrugës së Kanalit të Suezit. /tesheshi.com/