Një aktivitet i veçantë u organizua sot në Devoll me rastin e shpalljes së Valles Devollite si “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në këtë aktivitet, shprehu vlerësim e mirënjohje për përpjekjet pasionante të Guri Seferit, kryetarit të shoqatës atdhetare kulturore “Devolli”, të kryetarit të Bashkisë Devoll, Eduard Duro, si dhe veçanërisht të Niko Kotheres, që nëpërmjet dokumentave të hulumtuara, bëri të mundur që Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të vendoste që kjo valle burrash e cila interpretohet brez pas brezi në zonën e Devollit dhe Korçës, të hyjë në listën e kryevlerave kombëtare.
Vallja Devollite u shpall një ditë më parë “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”. Kjo është një valle burrash që interpretohet në zonën e Devollit dhe Korçës, e që ngre peshë zemrat e shqiptarëve sa herë që kulmon nëpër festa e gëzime.
Gjatë ditëve festive të dhjetorit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shpalli pasuri kombëtare edhe “Fyejt e Gramshit” ndërsa më herët, veshja e gruas mirditase u shpall “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”./ata