Qeveria ka paralajmëruar reformimin e sistemit të pagave për arsimin, ku përveç pagës mesatare 950 euro që pritet të rritet, mësuesit do kenë mundësi të paguhen edhe në bazë të meritës. Për këtë ka nisur edhe krijimi i Portofolit Digjital të Mësuesit, një inovacion që synon të përfshijë nga kredencialet për çdo mësues, regjistrimin elektronik të krediteve, certifikimin dhe vlerësimin periodik, deri te monitorimi i performancës së mësimdhënies në shkolla.

Sipas qeverisë, kjo mënyrë do të nxisë mësuesit që të rrisin performacën e tyre, ndërsa do të trjanohen për një sërë çështjesh, nga metodat e mësimdhënies, dixhitalizimi etj.

Ministria e Arsimit ka publikuar datën e provimit me shkrim të kualifikimeve të mësuesve, në 11 maj. Fillimisht, çdo mësues do duhet të plotësojë brenda datës 27 shkurt kërkesën për t’u përfshirë në procedurat e kualifikimit dhe e dorëzon së bashku me portofolin profesional në zyrën arsimore vendore.  

Që mësuesit të marrin pjesë në këto provime është kusht vjetërisa në punë për 2 shkallët e kualifikimeve, “mësues specialist” dhe “mësues i kualifikuar”. Provimi do të organizohet më 11 maj dhe mësuesit testohen në lidhje me formimin e përgjithshëm, madje ka pyetje dhe nga drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe gjithashtu ka pyetje shkencore të lëndës që jep mësim.

Për të marrë titullin “mësues specialist” duhet të kesh mbi 10 vite punë, ndërsa me më shumë se 20 vite punë garon për gradën “mësues mjeshtër”. Për kategorinë e parë “mësues i kualifikuar”, arsimtarët duhet të zotërojnë të paktën 5 vite punë dhe ju nënshtrohen orëve të hapura mësimore të monitoruara gjatë periudhës 1 deri në 26 prill.

Ende nuk dihet se si do të funksionojë pagesa sipas meritës për mësuesit, por këta të fundit në bazë të pikëve të dosjeve që kanë dorëzuar si dhe testit, vlerësohen me shkëlqyer, shumë mirë, mirë dhe dobët.

Ata nuk humbasin vendin e punës nëse vlerësimi nuk është i mirë, por kanë të drejtën e ritestimit për të fituar statusin e kualifikimit. Pjesëmarrja në kualifikim nuk është e detyrueshme, por në bazë të këtyre kritereve sipas qeverisë në të ardhmen mësuesit përveç pagës bazë do të mund të paguhen edhe sipas meritës.

Ministria e Arsimit lançoi dje fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025. Ky program synon të fuqizojë mësuesit përmes trajnimeve dhe metodave inovative të mësimdhënies.

Me nisjen e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, brenda këtij viti do të trajnohen mbi 4000 mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit Gjuhës Shqipe, Matematikës dhe Shkencat e Natyrës, për aftësitë digjitale dhe deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.