Dy persona janë arrestuar nga policia dhe një i tretë është shpallur në kërkim në lidhje me incidentet e ndodhura në protestën e opozitës para Parlamentit pasditen e së hënës.

 

Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit: J. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Krujë dhe D. P., 19 vjeç, banues në Thumanë.

 

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 16-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç.

 

Këta persona, gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike (flakadanë dhe kapsolla) në drejtim të shërbimeve të Policisë në detyrë. Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

Policia njofton se po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme, gjatë tubimit të djeshëm.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.