Bëhuni gati për turbulenca. Bëhuni gati, sepse viti 2024 do të jetë viti më i ngarkuar i zgjedhjeve në historinë e fundit botërore. Përqendrimi është vërtet mbresëlënës. Në qershor, në 27 shtetet e Bashkimit Evropian, 427 milionë votues do të shkojnë në kutitë e votimit për të rinovuar Parlamentin e Brukselit, ndërsa në nëntor 200 milionë amerikanë do të zgjedhin pasardhësin e Joe Bidenit. Në maj do të ketë zgjedhje legjislative në Indi, Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut, tre vende të cilat së bashku kanë mbi një miliard votues. Më pas do të jetë radha e Meksikës dhe Indonezisë dhe dy demokracive më të brishta si Venezuela dhe Pakistani. Dhe gjithashtu do të ketë votime në Tajvan, ishulli i vogël me 19 milionë votues, pavarësia e të cilit, e kërcënuar prej kohësh nga Kina, po shkakton shqetësimet më të forta globale.