Qytetarët e Kosovës nga sot do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turist por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.

Sa i përket kohës, qëndrimi është i mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen.

Ndërsa, për dokumentet e nevojshme, bëhet e ditur se qytetarët duhen të kenë pasaporta biometrike, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimit e udhëtimit.

Për ata që udhëtojnë me veturë nevojitet edhe dokumentet, përfshirë kartonin e gjelbër.

Më 18 prill të vitit 2023 Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024.

Ndërsa një ditë më vonë, më 19 prill është nënshkruar akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën./ata