Në Spanjë, prodhuesi më i madh i mishit të qengjit në Bashkimin Evropian, prodhimi i atij mishi po bie në mënyrë drastike për shkak të mungesës së barinjve, uljes së konsumit të mishit dhe rentabilitetit të pamjaftueshëm të kultivimit të deleve.

Prodhimi i vitit të kaluar ishte 41 për qind më i ulët se në vitin 2007, sipas shoqatës së prodhuesve vendas “Pastores Grupo Cooperativo”.

“Barinjtë dhe fshatrat kërcënohen me zhdukje”, thotë fermeri dhe presidenti i shoqatës, Fran Santolaria.

“Por ne duam ta mbrojmë dhe ruajmë këtë sektor që është më shumë se 1000 vjet i vjetër”, shton ai.

“Pastores Grupo Cooperativo” bashkon 800 barinj nga 400 fshatra në provincën e Aragonit në verilindje të Spanjës.

Përkatësisht, 10 për qind e të gjithë mishit të prodhuar në Spanjë prodhohet në atë rajon.

Në restorantet e qyteteve si Zaragoza dhe Huesca, mysafirëve u ofrohet mish qengji i butë me një erë specifike të Ternasco de Aragon, i cili konsiderohet një specialitet në të gjithë këtë vend evropian.

Bariu lokal Antonio Enfedake, 61 vjeç, ka rritur kafshë për aq kohë sa mund të kujtohet, dhe konkretisht filloi të punojë me delet dhe të vegjlit e tyre në vitin 1980, në prag të hyrjes së Spanjës në BE, kur sektori parashikohej të kishte një zhvillim më të ndritshëm.

Antonio, i cili ndihmohet nga dy djemtë e tij të kujdeset për 3000 dele, tani nuk është në gjendje të gjejë punëtorë, megjithëse u ofron atyre një pagë neto mujore prej 2000 eurosh. Thjesht nuk ka barinj në treg.

“Nuk është vetëm të ecësh me dele. Duhet njohuri për to, për ilaçet dhe ushqimin”, thotë ky fermer.

Megjithatë, ajo që ndoshta është një pengesë për shumëkënd, është fakti se barinjtë nuk kanë pushime javore apo vjetore, si dhe punojnë 14 orë në ditë teksa era e ftohtë përshkon kullotat.

Vetë Antonio thotë: “Nuk e di nëse më njohin edhe fëmijët”, duke aluduar për mungesa të tjera nga shtëpia për të kullotur.

Ndonjëherë është e vështirë për barinjtë të gjejnë dhe  grua.

Megjithatë, djali i vogël i Antonios, 23 vjeç, i cili mban të njëjtin emër, e pranoi këtë profesion, për të cilin thotë se “nuk mund të mësohet brenda një viti”.

Kujtojmë se në të njëjtin kontekst, qeveria shqiptare hodhi para pak vitesh idenë e ngritjes së akademisë së barinjve, gjë që u morr me të qeshur, mirëpo deri më tani nuk ka patur asnjë përçapje në këtë drejtim, pra, për të formuar në mënyrë shkollaresle barinjtë e së ardhmes. /tesheshi.com/