Kalaja e Pogradecit, një nga asetet më të njohura të trashëgimisë së kulturës në këtë qytet, po rikonstruktohet. Kalaja e cila daton si vendbanim që në shekullin e V-IV para Krishtit, synon të kthehet në një destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot disa foto të projektit 3D dhe puna për ‘rilindjen e kalasë panoramike’. Projekti parashikon ngritjen e një muzeu arkeologjik, zbulimin e mureve të kalasë dhe rehabilitimin e rrugës që të çon drejt saj.

‘Mirëmëngjesi dhe me punën që ka nisur për të rilindur Kalanë panoramike të Pogradecit, e cila daton si vendbanim që në shek V-IV para Krishtit, e që shumë shpejt do të duket si një destinacion i së ardhmes, ju uroj një ditë të mbarë.’- shkruan Rama.

Report TV sjell pamje nga punimet që po realizohen atje. 

Sipas arkeologes Froseda Angjellari kjo kala ka në brendësi të saj elementë shumë të rëndësishëm të historisë së këtij qyteti zbulimi i të cila do të sjellë për vizitorët diçka të re në fushën turistike të Pogradecit.

“Muret më të herëshme të kalasë janë ndërtuar në shekullin e katërt para erës sonë. Kjo kala konsiderohet si një nga vendbanimet e mirëfillta ilire, mund të ketë qënë një qytet i vogël ose një qëndër e rëndësishme administrative. Ndërtesat që kanë qënë pjesë e qytetit, varre etj. Do të ketë larmishmëri elementësh”, tha Angjellari.

Kryetari i Bashkisë Ilir Xhakolli thotë bashkia ka një projekt për rijetëzimin e plotë të Kalasë e cila bashkë me Muzeun e Palafiteve dhe lagjet historike do të jenë  qendrat më të vizituara nga vendasit dhe të huajt.

“Do të ngrihet një muze arkeologjik për gjetjet që do të kemi nga këtu gjithashtu po përfundon edhe muzeu i palafiteve dhe në fillim të vitit tjetër do të ndërhyjmë në dy lagje historike të qytetit. DDo të ketë shtëpi të tjera muze, një shtëpi etnografike, fototeka etj”, tha kryebashkiaku Ilir Xhakolli.

Projekti i cili financohet me fondet e BE ka në vetvete ngritjen  e një muzeu arkeologjik, zbulimin e mureve të kalasë dhe rehabilitimin e rrugës drejt këtij destinacioni të ri turistik e arkeologjik.