Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “Samitin Botëror të qeverisjes 2023” në Dubai, ku e vuri theksin tek rasti i shumëvlerësuar i Shqipërisë, mbi rolin e grave në qeverisjen dhe shoqërinë e shekullit XXI.

 

Rama së bashku me Dubai Abulhoul që është drejtuese dhe themeluese e drejtuese e Institutit Fiker zhvilloi një bashkëbisedim mbi ndikimin e angazhimit të grave në nivelet më të larta vendimmarrëse në qeverisje.

 

Rama tha se “jam sinqerisht i përulur nga kjo ftesë dhe nga mundësia për të marrë pjesë në këtë varg kaq mbresëlënës evenimentesh në këtë platformë dhe për të pasur mundësi për të folur për përvojën tonë. Dua ta them shumë drejtpërdrejtë se nuk ka qenë fjala për një model, por për një nevojë për t’i realizuar gjërat, për t’i bërë ato. Kam qenë dëshmitar me përvojën time i asaj çka Margaret Thatcher ka thënë dhe që është e vërtetë “Nëse dëshiron të flasësh gjej burra dhe bëje, nëse do të realizosh gjëra, gjej gra dhe bëje”.

 

“Është tjetër çështje pasi Thatcher ishte e vetmja grua në kabinetin e vet, por mund ta dëshmojë sipas përvojës sime se shanset me gratë për t’i realizuar gjërat janë më të larta se me burrat, nuk pretendoj se ky është shembull për të gjithë, thjesht flas për Shqipërinë”, tha Rama.

 

“Pastaj vjen tek ushtrimi i mirëfilltë, shifrën e grave në qeverinë tonë që praktikisht është më e ekzagjeruara në botë, është mbi 70% por nuk është diçka që erdhi se donim të ishte kështu. Erdhi në mënyrë të natyrshme kur krijova qeverinë e parë, doja ta kisha 50% me 50%. Por më pas me vazhdimin e punës dhe në përpjekje për të përzgjedhur njeriun e duhur për punën e duhur unë e kuptova se kishte më shumë gra sesa burra që ishin të përshtatshme për punën e bërë. Pra, erdhi në mënyrë të natyrshme. Do të isha më i hapur edhe në ato rastet që siç thoni ju teatrale, pasi përmes kësaj teatraleje gjërat bëhen të natyrshme”, nënvizoi Rama.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se “shikoni se çfarë ndodh në ditët e sotme në Arabinë Saudite me gjithë diskutimet e kritikat me të cilat mund të përballeni, ndërkohë që diskutimet zhvillohen në botën perëndimore, por zhvillimet janë vërtet mbresëlënëse dhe sigurisht në një farë mënyre duhet të niste me teatralen”.

 

Lidhur me çështjen e të drejtave dhe fuqizimit të grave, Rama tha se “nëse nuk e vendos veten në vendin e tjetrit rrezikon ta teprosh, qoftë edhe kur shtyhesh nga vullneti i mirë nga qëllimet e mira”.

 

“I kthehem rastit në Arabinë Saudite, në distancë dhe nga mungesa e vendosjes së gjërave në perspektivë e në një kontekst mund të kesh shumë për të thënë e mund të jesh shumë kritik, por kur i vendos gjërat në kontekst dhe perspektivë ajo çfarë po ndodh është e jashtëzakonshme. Njësia matëse e krahasimit sipas pikëpamjes time modeste duhet të jetë përherë relative”, tha Rama.

 

Kryeministri Rama u shpreh se “shohim që ka gjithmonë e më shumë hapësirë për gratë në nivelet vendimmarrëse dhe nuk është vetëm në nivelet ministrore, por edhe zëvendës ministrat, në nivelet e drejtorëve të drejtorive e kështu me radhë, por sidoqoftë nuk është ende mjaftueshëm pasi duhet të vijojë edhe në sektorin privat, çka është shumë më e vështirë. Po kështu duhet të shkojë deri në nivelet më bazë ku ka probleme qartësisht dhe duhet të jetë kështu në shtëpi ku kemi probleme me dhunën në familje e të gjitha këto gjëra”.

 

Megjithatë, vijoi Rama,  është e rëndësishme që gratë në të njëjtën kohë te mos të bëhen vetëm konsumatore të ndryshimit, por edhe promovuese të ndryshimit për të marrë më shumë vajza, më shumë gra, për t’i çuar në nivelet e sipërme dhe jo të marrim pozicione dhe të shndërrohen në ferr pastaj për njeri-tjetrin.

 

Më tej Rama tha se “më duket shumë interesante që edhe pse burrat kanë këtë namin se janë të fortë, se iu qëndrojnë bindjeve të tyre, ata janë më të prirur që t’i thonë “po” autoritetit të një burri tjetër pa e diskutuar, por në të njëjtën kohë nuk janë të mirë për të dhënë rezultate. Me gratë është ndryshe! Edhe pse kanë namin se janë më të nënshtruara, jo, ato ta thonë. Nëse e ndiejnë që kjo nuk është ide e mirë thonë: “prit pak, le ta diskutojmë”. Ose “nuk jam e sigurt që kjo është mënyra për ta bërë’, dhe më pas kur vendoset, ka rezultate. Kështu që, kur vjen fjala për pasjen e rezultateve, sërish mendoj që gratë janë më të besueshme sesa burrat. Megjithatë kjo është përvoja ime”.