Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 15 vite më parë është një nga ngjarjet më të mëdha në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Kështu theksoi sot kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një mesazh në kuadër të 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“Mirënjohje për të gjithë ata burra dhe gra në uniformë, në politikë, në fushën ushtarake dhe të sigurisë, që punuan dhe realizuan këtë projekt transformues dhe integrues të Forcave tonë të Armatosura, si dhe rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO”, tha Meta.
Meta u shpreh se “në këtë përvjetor historik, shpreh falenderimet më të përzemërta ndaj të gjitha vendeve aleate dhe mike, të cilat e mbështetën me shumë besim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kontribuuan në mënyrë të gjithanshme për modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, në vitin 2007, frymëzoi dhe mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
“Sot gjithashtu kam kënaqësinë e veçantë, të ndaj me ju një moment të paharruar, nënshkrimin në Tiranë më 2 maj 2003 me Sekretarin e Shtetit, Colin Powell të Kartës së Adriatikut, një akt shumë i rëndësishëm që përgatiti anëtarësimin tonë në NATO në mënyrë të pakthyeshme. Ndaj edhe ky përvjetor bëhet edhe më kuptimplotë për shkak se 21 vite pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, jo vetëm Shqipëria e Kroacia, por lumturisht edhe Maqedonia e Veriut, është anëtare e NATO-s”, tha Meta.
Meta u shpreh se “Partia e Lirisë angazhohet për t’u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO, si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare”./ata