Redaksia vendore e “Enciklopedisë shqiptare” u mblodh për të bërë një vlerësim të punës së vitit 2023 si dhe për parashikimet për kalendarin e 2024-ës.

Redaksia vendore e “Enciklopedisë shqiptare” vlerësoi se miratimi i akteve ndërqeveritare, ndërakademike e nënligjore dhe i atyre të njësimit të standareve teknike e profesionale është një arritje bazike.

Disa arritje të vitit të shkuar janë: Redaksitë e ngritura mbështetur sipas kufijve të disiplinave në 27 fusha të dijes dhe vënia e tyre në funksionim; ndërveprimi mes tyre dhe redaksive gjegjëse të Kosovës; ngritja e një redaksie të posaçme koordinuese për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Redaksitë e të tre niveleve janë tashmë në punë të drejtpërdrejtë.

Disa nga redaksitë e fushave: e letërsisë, e gjeografisë fizike dhe e asaj humane, e arsimimit, e ekonomi-financës dhe e biologjisë, kanë hartuar listën paraprake të fjalëve-referencë, emërtime të përveçme e të përgjithshme (fjalësi, lexicon-i, emërtesa); një pjesë tjetër janë në përfundim.

Stabilizimi i fjalësit, i mbështetur në bazën e të dhënave të FESH dhe të FEK, si dhe të enciklopedive krahinore e tematike, është një proces i dyfishtë: “collect and select”. Deri në fund të muajit mars 2024 do të jetë mbyllur.

Gjatë muajit janar do të organizohet një bashkëbisedim instruktues me gjithë anëtarët e redaksive të fushave, me pjesëmarrjen e redaksisë së posaçme të MV.

Kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi tha në këtë takim se tre projektet e mëdha në albanologji: “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Enciklopedia shqiptare”, provuan paraprakisht karakterin progresiv të reformës institucionale; bashkimi funksional ndodhi para bashkimit formal. Suksesi i dy nismave të para jep siguri edhe për suksesin e ESH./ata