Fotografitë e Anadolu Agency (AA) që vërtetojnë përdorimin e fosforit të bardhë nga Izraeli në Gaza dhe libri "Dëshmi", i cili përfshin këto fotografi që dokumentojnë krimet e luftës të Izraelit, si dhe pamjet lidhur me goditjen e fotoreporterit të AA-së, Mustafa Alkharouf, të goditur nga forcat izraelite gjatë detyrës së tij në Kudsin Lindor të pushtuar, do të paraqiten si prova në hetimet në Britani lidhur me krimet e luftës dhe në dosjet e çështjeve të pavarura në mbarë botën.

Njësia për krimet e luftës e policisë britanike (Scotland Yard), e cila bashkëpunon me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP - ICC), shqyrton provat e paraqitura se Izraeli ka kryer krime lufte në Gaza dhe i përcjell gjykatës çdo informacion që e konsideron të rëndësishëm për hetimin që vazhdon në GJNP.

Në këtë kontekst, organizata e pavarur me bazë në Mbretërinë e Bashkuar e quajtur "Qendra Ndërkombëtare e Drejtësisë për Palestinezët (ICJP)" krijoi një kanal zyrtar me forcën policore britanike, dhe provat e krimeve të luftës që mbledh ia paraqet ato forcave policore.

Gazetari i AA-së në Londër, i ka dorëzuar në formate të shtypura dhe digjitale Drejtorit të ICJP-së, Avokatit Ndërkombëtar Tayab Ali, fotografitë e AA-së për përdorimin e bombave me fosfor të bardhë nga Izraeli në Gaza dhe pamjet e goditjes së fotoreporterit të AA-së, Alkharouf nga forcat izraelite gjatë detyrës së tij në Kudsin Lindor të pushtuar.

Pasi shqyrtoi në zyrën e ICJP fotografitë e AA-së dhe librin me titull "Dëshmi" që vërteton se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në Gaza, Ali dha vlerësime për gazetarin e AA lidhur me proceset e nisura për hetimin e krimeve të luftës të Izraelit.

Ali tha se përveç fotografive dhe pamjeve të AA-së, në proceset hetimore, në kuadër të bashkëpunimit të tyre me forcat e policisë britanike, do të përfshihet edhe publikimi i AA-së me titull “Dëshmi”, i cili zbulon qartë krimet e kryera nga Izraeli në Gaza dhe përbën provat kryesore.

Fotografitë e AA-së do të përfshihen në shumë hetime

Drejtori i IJCP-së deklaroi se ata kanë filluar një hetim për krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza, se ky është një proces që kërkon shumë punë dhe kujdes gjyqësor, dhe se dëshmitë që mblodhën gjatë këtij procesi i kanë paraqitur policisë britanike përmes një kanali zyrtar.

"Nuk është vetëm një çështje për të marrë dokumentet dhe për të thënë ‘Kjo do të thotë kjo, kjo do të thotë kjo‘ por ka të bëjë me krijimin e një fotografie, nga shumë pjesë të vogla të një ‘mozaiku‘", tha ai.

Pasi u shpreh se në këtë proces hetimi kanë përfshirë edhe provat e sjella nga mjekët e rajonit në lidhje me përdorimin e bombave me fosfor të bardhë nga Izraeli në Gaza, Ali deklaroi se është shumë e rëndësishme që në këtë proces të përfshihen edhe fotografitë e paraqitura nga AA që vërtetojnë krimet e luftës të Izraelit.

Duke ekzaminuar fotografitë e AA-së që tregojnë Izraelin duke përdorur bomba me fosfor të bardhë në Gaza, Ali tha:

"Dëshmia që më keni dhënë është shumë, shumë e rëndësishme. Ne do ta shtojmë këtë pjesë në ‘mozaik‘ për të marrë pamjen e plotë dhe do ta përdorim atë në mënyra të ndryshme. Ne do ta përdorim atë këtu në Britani për ta paraqitur atë në Scotland Yard, do ta përdorim atë për ta paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), në mënyrë që ata të mund të kryejnë hetime dhe ne do të përgatisim dosje të pavarura të çështjeve për t'ua dhënë agjencive të zbatimit të ligjit në mbarë botën, në mënyrë që ata të zhvillojnë hetimet dhe që potencialisht të mund të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për këtë akt nëse shkel të drejtën ndërkombëtare".

"Ata që furnizojnë Izraelin me armë janë nën një përgjegjësi shumë serioze përballë ligjit ndërkombëtar"

Duke theksuar se ka një dimension tjetër të rëndësishëm në hetimin që ata filluan lidhur me çështjen se Izraelin ka kryer krim lufte në Gaza, Ali tha: "Pavarësisht nëse mendoni se është një krim lufte apo jo, tashmë është mjaft e qartë se Izraeli ka kryer një veprim që paraqet një rrezik të rëndësishëm se ai ka kryer së një krim lufte".

Avokati ndërkombëtar Tayab Ali ka vazhduar më tej fjalën e tij duke u shprehur:

"Për këtë arsye, prodhuesit dhe furnizuesit e armëve, si dhe shtetet që furnizojnë armë për Izraelin, kanë një detyrim shumë serioz sipas ligjit ndërkombëtar për të siguruar që ata të mos i furnizojnë këto armë një shteti që ka gjasa t'i përdorë ato në një akt kriminal. Pra, një pjesë e hetimit tim në këtë situatë do të jetë edhe në retrospektivë. Ajo që dua të them me këtë është se unë jam shumë i interesuar të di burimin e këtyre armëve, ku janë prodhuar, nga kush, kur i ka blerë Izraeli, cilat kompani i kanë furnizuar, cilët drejtues kompanie kanë pasur kontroll mbi furnizimin e tyre në Izrael. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për përgjegjësi penale për këta individë dhe kompani, ndërkohë që këtë e kërkon edhe e drejta ndërkombëtare. Për shembull, nëse ata i kanë furnizuar këto armë Izraelit, duke e ditur se këto armë mund të përdoreshin për krime lufte, ata do të akuzoheshin për bashkëpunim, ndihmë dhe nxitje, ose ndihmë në një krim lufte në ndonjë mënyrë tjetër, në përputhje me nenin 25 të GJNP-së. Edhe kjo është një pjesë vërtet e rëndësishme e hetimit".

"Këto (Fotografitë e AA-së) janë materiale të jashtëzakonshme"

Duke iu përgjigjur pyetjes se "A mendoni që si hap të parë t‘i përfshini këto prova në hetimin e policisë britanike?", Ali u shpreh: "Përgjigja e kësaj pyetjeje është padyshim po. Këto prova janë shumë të çmueshme".

Duke thënë se fotografitë e AA-së janë shumë të rëndësishme dhe se këto do t'i analizojnë me ekspertët, Ali u shpreh: "Është pothuajse e sigurt që do të jenë një pjesë e hetimit tonë për krimet e luftës. Këto (Fotografitë e AA-së) janë materiale të jashtëzakonshme. Është pabesueshme që i keni kapur këto. Kjo tregon rëndësinë që gazetarët i bëjnë punët e tyre në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë të rregullt dhe këto do të jenë një pjesë shumë e çmueshme e hetimit tonë".

Tayab Ali nënvizoi se ata do t'i dorëzojnë të gjitha provat e paraqitura nga AA në policinë britanike, duke shtuar: "Ajo që ne do të bëjmë është që materialet të cilat na keni dhënë, këto fotografi dhe librin, t'ia japim policisë britanike në mënyrë që ata t'i vlerësojnë ato si pjesë e hetimit të tyre".

"Nëse GJNP nuk bën atë që është e nevojshme, ajo do të bëhet faktikisht një mjet imperialist i shteteve perëndimore"

Ndaj pyetjes se "Çfarë do të thotë kjo në aspektin e së drejtës ndërkombëtare nëse GJNP nuk e gjykon Izraelin për krimet e tij të luftës në Gaza?", Tayab Ali tha: "Për mua, kjo do të thotë se GJPN-ja do të bëhet plotësisht jofunksionale. Nëse nuk bën atë që duhet të bëjë në një rast si Izraeli dhe Palestina, kur është shumë e qartë se SHBA, Britania dhe Evropa janë aleatët e Izraelit dhe mbështesin veprimet e Izraelit deri diku, GJNP do të bëhet faktikisht një mjet imperialist i shteteve perëndimore".

Duke nënvizuar se themelimi i GJNP-së nuk ishte projektuar në këtë mënyrë, Ali shtoi: "GJNP-ja është krijuar për të qenë një arbitër i pavarur që vepron pa frikë apo favor për t'i mbajtur përgjegjës kriminelët e luftës. Sipas mendimit tim, nëse nuk arrin t'i mbajë izraelitët përgjegjës për krimet e luftës në këtë rajon, atëherë GJNP-ja bëhet e parëndësishme për këtë konflikt aktual".

Pasi bëri të ditur se GJNP-ja duhet të veprojë në përputhje me qëllimin e saj themeluese, Ali tha: "Ajo që më shqetëson mua është që GJNP-ja të mos bëjë atë që duhet të bëjë dhe të mos bëjë atë që ka bërë për Ukrainën lidhur me krimet e luftës, për të cilët pretendohet se Izraeli ka kryer në Gaza".

"Libri i AA-së i emërtuar "Dëshmi" është me të vërtetë shumë i rëndësishëm"

Tayab Ali shqyrtoi gjithashtu edhe librin e AA-së me titull "Dëshmi", i cili zbulon qartë krimet e kryera nga Izraeli në Gaza dhe përmban pamje që shërbejnë si prova bazë.

"Gjëja e rëndësishme për këto foto (në librin Dëshmi) është se ekziston emri i gazetarit që ka bërë foton dhe datën e fotove. Kjo është vërtet dëshmi e rëndësishme. Kjo vepër është vërtet e rëndësishme sepse do të më ndihmojë të krijoj një pamje në afatin kohor të ngjarjeve. Do të më ndihmojë të vërtetoj se ku kanë ndodhur ngjarje të caktuara. Kjo është shumë e rëndësishme", u shpreh Ali.

Duke analizuar fotografitë në libër, Ali vuri në dukje fotografinë e furrës Al Nuseirat që u bombardua nga Izraeli dhe tha: "Ky është një nga pretendimet që po shqyrtojmë; se Izraeli ka shënjestruar jo vetëm personelin ushtarak, por në të njëjtën kohë edhe infrastrukturën ushqimore. Në këtë foto ndodhet furra e bombarduar Al Nuseirat".

Ndër të tjera, pasi shpjegoi se kjo fotografi është shumë e rëndësishme dhe se ajo tregon që Izraeli ka shënjestruar vendet dhe objektet e rëndësishme për jetesën civile, Ali bëri të ditur se kjo përbën një krim lufte.

"Ajo që i ndodhi fotoreporterit të AA-së është qartazi bullizëm dhe sulm"

Po ashtu, Tayab Ali, ka parë edhe pamjet ku goditet fotoreporteri i AA-së, Mustafa Alkharouf, duke deklaruar: "Në pamje, pashë atë që dukej si një gazetar që po vihej nën presion për shkak se ai po bënte punën e tij, dhe ai nuk u arrestua apo nuk u ndalua nga ushtarët. Ai u rrah nga ushtarët".

Kur forcat e zbatimit të ligjit, policisë ose ushtarët, nëse mendojnë se një individ ka bërë diçka të gabuar, ata duhet ta ndalojnë atë individ dhe ai t'i nënshtrohen procesit ligjor, shpjegoi Ali, duke shtuar:

"Ajo që pashë në ekran, qartazi nuk ishte kështu. Ishte shumë qartë një bullizëm dhe sulm. Sipas mendimit tim, kjo është një dëshmi e një rasti të sulmit në pikëpamje të parë. I kontaktova kujtdo që është gazetar për të më dhënë dëshmi lidhur me këtë sulm të kryer. Dikush na vuri në kontakt me ju dhe gazetarin dhe për këtë ju jam me të vërtetë mirënjohës"./aa