Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot se, vijon mbështetja për ekipet sportive në shkolla.

Manastirliu theksoi se, “Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), me mbështetjen e Ministria e Arsimit dhe Sportit ka siguruar uniformat e reja dhe pajisje sportive për 760 ekipe sportive, me rreth 10 mijë nxënës në shkollat e vendit”.

Manastirliu nënvizoi se, “me buxhetin 2024 do të zgjerojmë disiplinat sportive në shkolla, teksa do të vijojmë investimet për palestra dhe terrene sportive, për të krijuar kushtet që nxënësit tanë të stërviten në mjedise sa më të mira”.

Vitin e shkuar në projektin kombëtar “Ekipet Sportive në Shkolla” u përfshinë 10 mijë nxënës, 700 skuadra nga 61 bashki të Shqipërisë dhe 350 trajnerë.

Çdo nxënës që është pjesë e ekipeve të programit “Ekipet sportive” merr falas të gjithë bazën e nevojshme materiale.

Me këtë projekt të ekipeve sportive në shkolla janë gjallëruar të gjitha bashkitë e vendit me jetën sportive./ata