Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se "Masakra në Gaza duhet të përfundojë".
Në një deklaratë nga llogaria e tij në platformën e medias sociale X, Ghebreyesus tha se kanë marrë "raportime shqetësuese" lidhur me konfliktin në rritje në afërsi të spitalit "Dëshmorët e Aksa"-së në Gaza dhe urdhrave për evakuim që vazhdojnë.
"Sipas drejtorit të spitalit mbi 600 pacientë dhe shumica e punonjësve shëndetësorë janë detyruar të largohen nga spitali", tha Ghebreyesus duke vënë në dukje se nuk dihet as vendndodhja e këtyre njerëzve. Ai shpjegoi se dje zyrtarët e OBSH-së dhe Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Ndihmave (UNOCHA) vizituan spitalin "Dëshmorët e Aksa"-së dhe se ata ishin dëshmitar se shumë të plagosur u sollën për trajtim urgjent.
Pasi tërhoqi vëmendjen se një tjetër mision i OBSH-së u anulua për shkak të rrezikut dhe mungesës së lejeve të nevojshme dhe se në veri të Gazës asnjë spital nuk është funksional plotësisht, Ghebreyesus potencoi se në të gjithë Gazën vetëm "një pjesë e vogël" e objekteve shëndetësore janë në funksion.
"Punonjësit e OBSH-së kanë parë skena të rënda në spitalin 'Dëshmorët e Aksa'-së, ku njerëz të të gjitha moshave të mbuluar me gjak trajtoheshin në dysheme dhe në korridore kaotike", theksoi Ghebreyesus.
"Masakra në Gaza duhet të përfundojë", tha Ghebreyesus duke shtuar se në spital kanë mbetur 5 mjekë për shkak të urdhrave për evakuim dhe mungesës së sigurisë. Ai tërhoqi vëmendjen se javët e kaluara në spital silleshin 14 të vrarë dhe 48 të plagosur në ditë por që kjo shifër në ditët që kanë kaluar u rrit në mbi 120 të vrarë dhe të plagosur.
Kreu i OBSH-së thotë se spitali është institucioni më i rëndësishëm shëndetësor në pjesën qendrore të Gazës. Ghebreyesus tha se do të ishte "turp moral dhe mjekësor" dëmtimi i funksionalitetit të spitalit, për të cilin bëri thirrje për mbrojtje./aa