Forcat izraelite kanë arrestuar 5.730 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim që nga 7 tetori 2023, kur forcat izraelite filluan sulmet e tyre ndaj Rripit të Gazës.
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komiteti për Çështjet e të Burgosurve Palestinezë të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, kanë publikuar deklaratë të përbashkët me shkrim lidhur me çështjen.
Në deklaratë thuhet se forcat izraelite që nga dje e deri më sot kanë arrestuar të paktën 40 palestinezë në Bregun Perëndimor nën pushtim.
Më tej thuhet se që nga 7 tetori e deri më tani kur filluan sulmet ndaj Gazës, ka arritur në 5.730 numri gjithsej i palestinezëve që janë arrestuar në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, duke përfshirë këtu "të arrestuarit nga shtëpitë e tyre, në pikat e kontrollit ushtarak, ata që janë detyruar të dorëzohen nën presion dhe ata që janë ndaluar".
Në deklaratë thuhet se forcat izraelite gjatë arrestimeve kanë goditur, torturuar dhe kërcënuar palestinezët.
Sipas raportit vjetor të dy institucioneve në fjalë, që nga fundi i dhjetorit 2023 numri i palestinezëve në burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Izrael është rritur në 8.800, ku 80 prej tyre janë gra.
Që kur forcat izraelite filluan sulmet ndaj Gazës, nga 7 tetori e deri më tani është shënuar rritje e arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim./aa