Problemet financiare të Konyaspor, por edhe arroganca e klubit turk, e shtyjnë Sokol Cikalleshin drejt kërkimit të një zgjidhjeje në merkaton e janarit.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare kërkoi rrogat e prapambetura nga klubi para pak ditësh, bashkë me portierin e skuadrës Paul Bernardoni, me Konyaspor që reagoi duke i përjashtuar të dy nga skuadra, duke i lënë jashtë sfidës me Galatasarayn që u luajt të shtunën e kaluar.

Pozicionimi i palëve edhe gjatë këtyre ditëve nuk ka ndryshuar, me Cikalleshin që i duhet të gjejë një zgjidhje tjetër, teksa me Europianin në program verën e ardhshme, nuk ka luksin për të qëndruar jashtë skuadre në Turqi, aty ku deri tani ka spikatur si kryegolashënues i skuadrës te Konyaspor me 8 finalizime në kampionat këtë sezon.

Sulmuesi kavajas pëlqehet së tepërmi në Arabinë Saudite, ku Al Khalej, skuadër ku luajti si i huazuar në sezonin 2022-2023 është gati ta presë me krahë hapur një rikthim të tijin, falë përshtypjeve të mira që ka lënë në kampionatin arab, ku po investohen shuma të çmendura për ta kthyer në një nga më tërheqësit në botën e futbollit, për Cikalleshin përvec Al Khalej kanë shprehur interes edhe dy klube të tjerë të Saudi Pro League.

Gjithsesi, nyja për t’u zgjidhur është kontrata aktuale që sulmuesi shqiptar ka me Konyaspor, e cila skadon në qershor të vitit 2024. Vetë Cikalleshi e ka të qartë se i duhet të luajë në këto muaj të parë të vitit, por të mos humbur europianin, dhe në këtë mënyrë do t’i duhet të gjejë një pakt me Konyasporin, në mënyrë që klubi turk të lejojë kalimin e tij në Arabinë Saudite, e ndoshta edhe duke sakrifikuar për sa i përket detyrimeve të prapambetura financiare nga ana e klubit turk.