Qeveria ka publikuar strategjinë që do të ndiqet për ndryshimin e rregullave në dhënien e koncesioneve dhe projekteve me formulën Partneritet-Publik-Privat.
Në dokument thuhet se gjithçka do të realizohet përmes aplikimit të inteligjencës artificiale.
Duke filluar nga kryerja e vlerësimit për plotësimin e kritereve e gjithë procedura do të jetë me teknologji të avancuar. Projekti parashikohet të nisë në vitin aktual e duke vijuar deri në 2030-ën.
Por Inteligjenca Artificiale nuk do të përdoret vetëm në fazën e aplikimit dhe përzgjedhjeve.
Aplikimi parashikohet edhe në menaxhimin e kontratave nga autoritet kontraktore dhe kontrollin e zbatimit të tyre.
Përmes kësaj, siç thuhet në dokument, synohet të luftohet edhe korrupsioni. Sipas dokumentit kryerja e vlerësimit automatik do të shmangte ryshfetet dhe ndikim e njeriut si faktor.
Në dokumentin shoqërues thuhet se rishikimi i ligjit për koncesionet erdhi si nevojë e përafrimit me direktivën e Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit “Screening”.
Strategjia bën përgjegjëse në zbatimin e këtij plani, Ministrinë e Financave, Agjencinë e Trajtimit të Koncensioneve dhe Agjencinë e Prokurimit Publik.