Kryeministri Edi Rama tha në një konferencë për media se po diskutohet me qeverinë e Kosovës për projektin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën.

Sipas tij, lidhja përmes Shkodrës po shikohet si zgjidhja më e mirë edhe nga pala e Kosovës.

“Kemi një komunikim intensiv me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Ka dakordësi në parim nga të dy strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra. Për sa kohë kemi hekurudhën Vorë-Hani i Hotit për të vijuar nga Shkodra në Han të Hotit, në Gjakovë dhe Prishtinë. Kjo është një zgjidhje e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Sa i përket veprave të tjera infrastrukutore në zhvillim, ai veçoi një tjetër segment hekurudhor.

 “Jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave brenda vitit. Ndërkohë, kemi diskutuar financimin e 4 km që duhet për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj se në fillim të vjeshtës do të lidhim dhe kontratën për të filluar punën në segmentin hekurudhor që lidh Vorën me Hanin e Hotit”.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka përfituar nga fondet europiane për ndërtimin e segmentit Durrës-Rrogozhinë, ndërsa theksoi se po punohet edhe për financimin e segmentit Rrogozhinë-Pogradec.

“Kemi fituar nga fondet europiane për segmentin Durrës-Rrogozhinë, ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë me ndërtimin e segmentit Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 dhe me vijën hekurudhore”, u shpreh Rama. /tesheshi.com/