Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se deklaratat e zyrtarëve izraelitë lidhur me detyrimin e qytetarëve të Gazës për largim nga vendi janë shqetësuese dhe aludimet për zhvendosje të detyruar janë absolutisht të papranueshme.

Në një postim nga llogaria e tij në "X", Borrell theksoi se deklaratat e disa përfaqësuesve të qeverisë izraelite të cilët duke ia bërë të pamundur jetën civilëve në Gaza i detyrojnë ata të largohen nga vendi janë shqetësuese, të dëmshme dhe të rrezikshme për ata vetë.

Borrell nënvizoi se civilët në Gaza duhet të mbrohen dhe tha se "Aludimet për zhvendosje të detyruar janë absolutisht të papranueshme".

Administrata izraelite dëshiron t'i dërgojë banorët e Gazës në vende të tjera

Deputeti izraelit nga partia Likud, Danny Danon, më 15 dhjetor shpalosi në revistën Newsweek të ashtuquajturin plan prej pesë pikash i cili përfshin edhe "ofrimin e mundësisë së 'migrimit vullnetar' të banorëve të Gazës". Po ashtu, Danon në shkrim i krahasoi palestinezët me "nazistët".

Sipas lajmit të publikuar në gazetën izraelite "HaYom", Netanyahu në një mbledhje me deputetët e partisë Likud më 26 dhjetor 2023, ka thënë lidhur me palestinezët në Gaza: "Problemi ynë janë vendet që janë gati të pranojnë refugjatë. Ne po punojmë për ta zgjidhur këtë".

Ministri izraelit i sigurisë kombëtare nga ekstremi i djathtë, Itamar Ben-Gvir, në një postim të bërë nga platforma e medias sociale "X" më 1 janar, lidhur me strehimin e palestinezëve që do të migrojnë tha se "Ne kemi partnerë në botë që do të na ndihmojnë".

Ndërkaq, ministri izraelit i Financave nga radhët e ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, lider i Partisë së Sionizmit Fetar, gjatë një fjalimi në mbledhjen javore në parlamentin izraelit (Knesset) propozoi "inkurajimin e migrimit vullnetar të banorëve të Gazës në vendet që pranojnë refugjatë"./aa