Organizata ndërkombëtare "Oxfam" thotë se mesatarisht 250 persona vriten çdo ditë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe se ky numër është më i lartë se çdo konflikt tjetër i madh i shekullin të 21-të.

Deklarata e bërë nga "Oxfam" me bazë në Mbretërinë e Bashkuar përfshin vlerësime në lidhje me numrin e njerëzve të vrarë në territoret e pushtuara palestineze në Gaza dhe Izrael.

"Ushtria izraelite vret mesatarisht 250 palestinezë në ditë në Gaza, duke tejkaluar ndjeshëm shkallën mesatare të vdekjeve në sulmet e mëdha në vitet e fundit. Ky numër është mesatarisht 96.5 në Siri, 51.6 në Sudan, 50.8 në Irak, 43.9 në Ukrainë, 23.8 në Afganistan dhe 15.8 në Jemen", thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se jetët e njerëzve në Gaza janë në rrezik për shkak të urisë, sëmundjeve dhe të ftohtit, si dhe bombardimeve izraelite dhe se vetëm 10 për qind e ushqimit të nevojshëm mund të hyjë në Gaza.

Sipas "Oxfam" në Gaza nuk mund të gjenden materiale të tilla si jorganët, uji i ngrohtë dhe karburanti.

Abi Khalil thotë se popullata e Gazës po përballet me uri si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Izraelit për gati 100 ditë. "Është e pabesueshme që opinioni publik ndërkombëtar të bllokojë vazhdimisht thirrjet për armëpushim dhe të shikojë konfliktet me shkallën më të lartë të vdekjeve në shekullin 21", tha ai.

Në vazhdim Khalil thekson se Izraeli parandalon furnizimet me ndihma jetike që të hyjnë në Gaza. "Përveç vdekjeve tashmë shumë të larta, njerëzit mund të vdesin nga uria, sëmundjet e parandalueshme, diarreja dhe të ftohtit. Kjo situatë është veçanërisht shqetësuese për fëmijët, gratë shtatzëna dhe ata që tashmë kanë sëmundje", u shpreh Khalil.

Ai tha se "e vetmja mënyrë për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të parandaluar vdekjen e më shumë njerëzve është një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i robërve dhe hyrja e furnizimeve me ndihma"./aa