Qeveria, me gjuhën e ministers Kumbaro, shpalli ligjin e ri për turizmin, pasi siç tha ajo ai i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja.

“Sot miratuam në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, ndryshime për një ligj të rëndësishëm. Turizmi ka qenë e do jetë kryefjalë, të dhënat janë se do jetë deri në 2030, ligji i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja ku duhet ta pranojmë edhe sektori privat ka ecur më shpejt më mirë dhe me ritëm më pozitiv.

Edhe vizioni i qeverisë është shumë më i avancuar se ligji i 2015 ku realiteti në sektorin e turizmit nuk ishte ky që kemi sot.

Kjo bënte të nevojshme nevojën për ndryshime ligjore, qoftë për realitetet e reja në tregun e turizmit në sektorin privat, kërkesat e reja që vijnë nga konsumatori, për të dhënë garanci më shumë për shërbime më cilësore. Është një mekanizëm edhe për formalizimin e tregut të turizmit. Rritja e kërkesës ka ecur më shpejt se sa oferta”, sqaroi ajo.

Duke u ndalur në detaje, Kumbaro veçoi investimet strategjike në turizëm.

“Kur shikojmë sot që flitet për 17 hotele që janë ndërtuar ose janë në fazë ndërtimi me katër ose pesë yje, kemi një realitet krejt të ri sa i përket investimeve strategjike. Në kontekstin kur ne flisnin për 10 milionë turistë në 2030, kjo flet për një treg që nuk ishte parashikuar dhjetë vjet më parë kur ligjet ishin planifikuar, ligjet përmirësohen dhe amendohen. Në tregun e organizuar që kemi dhe që duhet t’i përgjigjemi viti 2030, Duhet të kemi paketë ligjore të unifikuar dhe s’ka nevojë të jetë e copëzuar”, tha Kumbaro.

Ajo u pasua në sqarime nga kolegu i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili veçoi qasjen e re fiskale në turizëm.

“Turizmi na një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe kjo kërkon edhe një vëmendje nga ana e qasjes fiskale që ky sektor të japë kontributin e vet edhe në ekonomi dhe buxhetin e shtetit. Në ligjin që propozohet sot nga qeveria në parlament është parashikuar një dispozitë, ku këshilli i Ministrave do të ketë një qasje ndërvepruese me sektorin, me një strategji referuese për kapacitetet e shfrytëzimit. Ministria e Financave në vijim do të publikojë edhe disa sqarime lidhur me përgjegjësitë e qiradhënësve, që të jenë më transparente dhe të ketë një qasje më përbashkuese. Me ligjin e sotëm ajo që ndryshon, është vendosja e një dispozite, pasi për operatorët turistikë do të përcaktohet metodologji të shfrytëzimit të kapaciteteve sipas sektorëve që më pas do të jetë metodologji referuese edhe për taksimin e operatorëve që të ketë deklarim sa më të drejtë”, tha Mete. /tesheshi.com/