Vitet e fundit të fluturoje nga Rinasi nëpër Europë u bë mjaft e lirë, si rrjedhojë e hyrjes së operatorëve me kosto të ulët (low cost).
Për data të caktuara ishte e mundur që të gjeje një bilete vajtje ose ardhje për 20 euro, ose 40 euro vajtje-ardhje, sidomos në destinacionet drejt Italisë.
Mesatarisht, edhe në destinacione të tjera, si Gjermania, apo Franca mund të blije bileta vajtje-ardhje 50-100 euro. Vetëm në periudhat e sezonit, si në verë, apo për festat e fundvitit, biletat ishin më të shtrenjta.
Por, këtë vit, çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas një vëzhgimi të “Monitor” në faqet zyrtare të kompanive ajrore në vend, është pothuajse e pamundur që të gjesh bileta të lira.
Me përjashtim të destinacioneve italiane në ditë të caktuara, përgjithësisht një biletë vajtje-ardhje tashmë kushton mesatarisht midis 110-200 euro.
Biletat më të lira janë në destinacionet italiane, ku mund të gjesh edhe me 70 euro-100 (dy drejtime) për në maj, por më pas në qershor çmimet dyfishohen.
Në gusht, nëse i pret sot arrijnë 400-500 euro (dy drejtime) për të gjitha destinacionet.
Por, burime nga “Wizz AIr”, operatori më i madh në treg kanë pohuar më herët për Monitor, se duke qenë se pas pandemisë ka ndryshuar algoritmi për blerjen e biletave, nëse shikon çmimet për një afat më të gjatë se 3 muaj, automatikisht ato janë më të shtrenjta, pasi supozohet që personi që do të presë biletën kaq herët e ka të sigurt që do të udhëtojë. Gjithsesi, përgjithësisht në gusht, çmimet shtrenjtohen ndjeshëm, kurdo që t’i presësh.
Shtrenjtohet ndjeshëm Gjermania
Me “Wizz Air”, – që është operatori më i madh në vend, me gati 60% të tregut – në Hamburg për datat 7 me 9 maj, bileta vajtje ardhje kushton 115 euro.
Në qershor, për vajtje në datën 10 dhe kthim në 13, çmimi rritet në 180 euro. Për në Baden po të Gjermanisë, – ku vitin e kaluar një biletë vajtje-ardhje në qershor e gjeje me 40 euro -, në 10 qershor 2023, vetëm vajtja është 310 euro dhe kthimi 80 euro!
Për në Berlin, në fillim të majit bileta po me “Wiiz Air” kushton 135 euro (vajtje-ardhje). Për në 9-13 qershor, çmimi rritet në 200 euro.
Vitin e kaluar, biletat drejt destinacioneve gjermane i gjeje dhe me 70 euro (dy drejtimet). Tashmë është e pamundur, që të blesh një biletë, që kushton më pak se 100 euro.
Për në gusht të këtij viti (vajtje me datë 5 dhe kthim në datën 8), bileta për në Berlin arrin në 485 euro.
Italia, pak më e lirë, por jo aq sa ishte më parë
Drejt Italisë fluturimet janë të shumta dhe çmimet pak më të lira, por gjithsesi dhe në këtë destinacion çmimet janë shtrenjtuar. Më “Wizz Air”, një udhëtim në Milano në datat 6-8 maj kushton minimalisht 70 euro. Një vit më parë bileta mund të gjeje edhe 40 euro. Për në qershor bileta shtrenjtohet në 80-100 euro, ndërsa në gusht arrin në 400 euro (5-7 gusht)!!!
Për në Romë, në maj bileta është 65 euro vajtje-ardhje. Në qershor arrin në 90 euro, ndërsa në gusht 170-180 euro.
Me “Air Albania”, – operatori i dytë më i madh në vend, me 8% të tregut-, në maj, bileta për Milano kushton 103 euro.
Destinacionet e tjera
Po me “Wizz Air”, për në Paris në datat 5-8 maj, një biletë vajtje-ardhje kushton 200 euro. Një vit më parë, në fund të prillit, një biletë vajtje-ardhje për në Paris kushtonte 55 euro.
Për në Barcelonë, bileta në maj është 115 euro, për në qershor arrin 180 euro.
Për në Eindhoven, në maj bileta kushton 120 euro, ndërsa në qershor arrin në gati 390 euro.
Londra është më e lirë, 70-80 euro në maj. Në qershor i kalon 100 euro, ndërsa në gusht arrin në 340 euro.
Për në London Stansted Airport, me “Air Albania”, në maj biletat janë të shitura, ndërsa në qershor janë mbi 200 euro,
Për në Vjenë, me “Wizz Air” në maj, duhen 135 euro. Me “Austrian Airlines”, po në Vjenë, në të njëjtat data, bileta kushton rreth 160 euro.
Biletat mos i lini për momentin e fundit, por mos i blini as shumë herët!!
Sa më shumë të afrohet data e udhëtimit aq më të shtrenjta bëhen biletat, përgjithësisht. Psh, për në Milano në datat 1-3 prill, bileta kushton 135 euro. Në Romë, po në të njëjtat data kushton 160 euro.
Por edhe nëse e programon në avancë në më shumë sesa tre muaj, sërish është e shtrenjtë, për shkak të algoritmit të ndryshuar të shpjeguar më lart për operatorët me kosto të ulët. Periudha më e mirë për të gjetur një biletë të lirë është të paktën një muaj përpara udhëtimit.
“Wizz Air” ka gati 60% të tregut, Milano-Bergamo destinacioni kryesor i fluturimeve
Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, në fund të tremujorit të tretë 2022, “Wizz Air” kishte 59% të tregut të fluturimeve, nga 42% në fund të vitit 2021. Operatori i dytë, “Air Albania” kishte një peshë shumë më të ulët, vetëm 8% (nga 11.6% në fund të vitit 2021) e ndjekur nga “Albawings” me 6% (nga 7.1% në fund të 2021-t).
Milano-Bergamo është destinacioni kryesor i fluturimeve, me 13% të totalit, i ndjekur nga Londra, me 9.6%, Bolonja me 5.6%, Roma me 2.3%, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA), që i përkasin shkurtit 2023.
Udhëtimet përmes ajrit janë shtuar ndjeshëm në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas TIA, në janar-shkurt fluturuan nga dhe drejt Rinasit 755 mijë pasagjerë, me një rritje prej 63% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor