Përhapja masive e gripit në vend ka rritur së tepërmi edhe shifrat e fëmijëve të prekur nga virozat në Korçë.  

60-70 raste të prekura nga infeksionet virale raportohen nga pediatria e Korcës cdo ditë ndërkohë që sipas mjekëve rikthimi në kopshte dhe shkolla rrit rezikun e përhapjes së virozave.

Sipas të dhënave kjo është një situatë normale për stinën ndërsa në shumicën e rasteve fëmijët pas vizitës mjekësore nuk kanë nevojë për shtrim spitalor.

“Fatmirësisht deri tani s’kemi patur raste që kemi dërguar në Tiranë. Rastet që na janë paraqitur i kemi menaxhuar dhe trajtuar këtu, me sukses. Numri i vizitave është 60-70 në ditë, të cilët shumë pak raste janë ato të cilat shtrohen në spital. Nuk kemi shtrime masive, aktualisht kemi gjithsej 12 fëmijë të shtruar, 9 në repartin infektiv, me infeksione virale, grip dhe me sëmundje të tjera infektive por kryesisht me infeksionin që qarkullon aktualisht”, tha Robert Rado shef i pediatrisë, spitali Korçë.

Për shkak të situatës mjekët apelojnë që prindërit të tregojnë kujdes dhe të mos i dërgojnë fëmijët e sëmurë në institucionet arsimore për 5-6 ditë për të shmangur transmetimin e virusit nga njëri fëmijë tek tjetri.