Shtëpia e Biznesit është struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit.

E vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës, Shtëpia e Biznesit çeli dyert për të mirëpritur sipërmarrësit në adresimin e problematikave të tyre, por edhe si pikëtakimi e përjavshme e sekretariateve teknike të Këshillit Ekonomik Kombëtar që do të ngrihen në vijim të punës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvizoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre.”

“Prej kohësh, në të vërtetë, ne kemi pjesë të strukturës të qeverisë një Ministër të Shtetit që i përkushtohet sipërmarrjes, por prej kohësh kemi edhe shqetësimin bashkë me pyetjen pse nuk ka më shumë ndërveprim mes sipërmarrjes dhe kësaj instance që në fakt është e ndërtuar për të qenë një derë avokatie për sipërmarrjen, një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem që ka dhe problemet që ju keni janë të natyrave të ndryshme, që nga problemet që lidhen me legjislacionin e sektorit, që nga problemet që lidhen me institucione që i ndeshni në rrugën e procedurave të caktuara, deri tek problemet që janë krejtësisht individuale, të lidhura, në një hap të caktuar të punës, me një ngërç që krijohet për kompanitë tuaja, për njësitë tuaja, si rezultat i një ndërhyrjeje që duhet adresuar, qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete një shprehje  arbitrariteti në interpretimin e një procesi dhe qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete dyshimin apo bindjen që është për arsye korruptive”, nënvizoi Rama.

Tani, vijoi Rama,  një pjesë e madhe e botës së ryshfetit është çmontuar me ndërveprimet digjitale, një pjesë e madhe e andrallave të sipërmarrjes është fashitur sepse shumë ndërveprime të detyruara për shkak të ligjit apo për shkak të proceseve të punës me shtetin, ju i bëni pa asnjë kontakt me askënd dhe shfrytëzoni platformën e-Albania.

“Por prapë se prapë, ka një pjesë tjetër të kësaj bote të vjetër të ryshfetit që është akoma gjallë dhe është e pakuptueshme për mua, sinqerisht, që një sipërmarrës që ka përgjegjësi të madhe, jo vetëm për veten dhe familjen e vet, por edhe për një numër të caktuar punonjësish dhe për familjet e tyre të ngurrojë që të përballet me situata të kësaj natyre në rrugën më të shkurtër dhe në rrugën më të drejtpërdrejtë duke u përballur me vetë qeverinë dhe qeveria e ka krijuar këtë mundësi sepse ka krijuar këtë figurë si pjesë të kabinetit dhe kjo shtëpi e biznesit, – emrin ia ka vënë Delina, nuk ta marr meritën, – pra kjo hapësirë e pagëzuar si Shtëpia e Biznesit në fakt ka lindur nga dëshira e paepur që ne t’ia dalim në realizimin e këtij qëllimi, por edhe nga ideja që mbase vetë fakti që duhet të nisesh të takosh ministrin përkatës, i cili është në një godinë qeveritare e pastaj duhet të kalosh hallka e të tjerë, ka qenë një pengesë”, theksoi Rama.

Kështu që, shtoi Rama, ne kemi krijuar  këtë hapësirë ku nuk ka asnjë procedurë dhe asnjë proces për të kapërcyer pragun e derës në mes të harkut, ngjitur me derën e Kryeministrisë, ku është edhe zyra dhe administrata e Ministrit të Shtetit dhe ku do të jenë këtu në këtë hapësirë personat që do të jenë pjesë e strukturës së Sekretariatit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, por që vetvetiu pjesë edhe e stafit të ministres në sensin e ndërveprimit.

Më tej Rama u shpreh se “Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar nuk është staf i ministres në kuptimin formal, por është staf i ministres në kuptimin praktik. Pra, është lidhja më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë mes komunitetit dhe qeverisë që garantohet përmes Sekretarit të Përgjithshëm nga ana e Komitetit dhe ministres nga ana e qeverisë. Pra, besoj që mund ta them me plot gojën që ne jemi një staf këtu dhe unë do t’iu lutesha ju dhe gjithë atyre që na dëgjojnë dhe që janë sipërmarrës që të na vënë në provë, të na vënë në provë, pastaj nëse prova dështon, atëherë rrugët e vjetra, dyert anësore, korridoret telefonike me të njohur e me miq, – ju i dini përmendësh se ka 30 e ca vite që i keni rrahur ato rrugë për arsye të kuptueshme, – ama, duhet të na vini në prove dhe unë jam i bindur që kjo do jetë me një përfitim të madh të përbashkët”.

Kryeministri Rama tha se “jam i bindur që nga kjo do të përfitoni ju sepse nuk do keni nevojë të rrini të prisni një përgjigje me javë ose me muaj të tërë, nuk do keni nevojë që për të marrë atë përgjigje që ju takon ta merrni të bëni xhiro telefonike apo xhiro kafesh për të gjetur se kush është njeriu që do ta nxjerrë atë përgjigje nga penxherja se nga dera nuk del dhe nga ana tjetër, ne do kemi mundësi që t’ju shërbejmë më mirë dhe të reagojmë ndaj situatave që krijohen”.

Unë, shtoi Rama, nuk e kuptoj dot, sinqerisht, kur na ndodh ndonjëherë që të komunikojmë me ndonjë sipërmarrës që ka një problem me administratën ose kur më ndodh, më ka ndodhur më parë që të më shkruajnë sipërmarrës të panjohur nga zona të tjera të vendit që ndeshen, që janë ndeshur me arbitraritetin e inspektorëve, që kur i thua “Më thuaj cilët ishin dhe hajde të ndërveprojmë bashkë që këta njerëz të marrin përgjegjësi dhe të largohen nga kjo punë” e “Jo, po se nuk dua t’i bie në qafë njeriu”.

“Këtë nuk e kuptoj, sinqerisht, se nuk dua t’i bie në qafë dikujt që po të bie në qafë dhe nuk po të bie në qafë si trim, por po të bie në qafë si një burracak që shfrytëzon të pasurit e një firme në një tefter X të shtetit për të penguar ty. Këtë unë nuk e kuptoj dhe jam i bindur që asnjë nga ju nuk do më ndihmojë që ta kuptoj, por do t’iu lutesha shumë që këtë ta shikojmë si një mundësi. Delina është një individ me shumë dëshirë për punë dhe me shumë energji dhe vullnet për punë dhe qysh se ka filluar këtë detyrë të re ma ka bërë shumë të qartë që do ta bëjë këtë detyrë për të bërë këto gjëra të mundura dhe jo thjesht për të qenë në një detyrë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “nëse ne arrijmë t’i bashkojmë këto forca me sukses dhe fola për ankesat e drejtpërdrejta, por natyrisht nuk janë ankesat e drejtpërdrejta thjesht arsyeja pse ne kemi zgjedhur dhe kemi ndërtuar këtë hapësirë, janë sfida shumë më të mëdha se kaq”./ata