Më shumë se 4 500 fermerë të bashkisë Berat kanë aplikuar deri tani, për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi.

Drejtori i Agjencisë Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, Vullnet Gjolla, bëri të ditur për ATSH-në se, “fermerët kanë aplikuar për të përfituar financim për sektorët blegtori, bletari e prodhim në ferma organike bujqësore dhe serra. Ndërkohë që kryeson aplikimi për skemën e naftës pa taksa”.

Qarku i Beratit renditet ndër 5 qarqet kryesore me numrin më të lartë të fermerëve aplikantë, duke lënë pas qarqet si Durrësi, Tirana e Elbasani.

Sipas Gjollës, këtë vit numri i fermerëve aplikantë, krahasuar me një vit më parë është në rritje të konsiderueshme dhe numri i përfituesve parashikohet të jetë i lartë.

Skemat e Mbështetjes, ofron 8 masa mbështetëse dhe afati për kryerjen e aplikimeve është deri më datën 19 prill.

Skema Kombëtare shkon aktualisht për prodhim dhe kjo skemë ndihmon kostot e drejtpërdrejta të fermerëve për të mundësuar të ardhura ekonomike.

Aplikuesit në grupimet e Bashkimit të Fermerëve, do të përfitojnë të parët dhe secili prej tyre do të marrë në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal, duke synuar realizimin e të njëjtin produkt bujqësor, drejt të njëjtit treg dhe të njëjtin protokoll prodhim./ata