Për tre vite me radhë lista e barnave të rimbursueshme nuk ka ndryshuar. Ka funksionuar ajo e vitit 2021.

Çka do të thotë që qytetarët nuk kanë pasur as barna të reja që duhet të shtoheshin çdo vit dhe nuk është rritur as numri i përfituesve. Për vitin 2024 nuk dihet se kur do të dalë lista e barnave me rimbursim pasi ende nuk është ngritur komisioni që do të vlerësojë se cilët barna do t’i shtohen kësaj liste.

Në mesin e vitit 2023 ndonëse shumë vonë nisi puna për hartimin e listës se re te barnave të rimbursueshme dhe që nga filimi majit kur duhej të dilte, nuk u arrit të miratohej as në muajin dhjetor.

Komisioni i vlerësimit kishte nisur punë për hartimin e listës që gjatë verës të vitit 2023 dhe në dhjetor dorëzoi një draft të listës së re të barnave të rimbursueshme, por ky draft u rrëzua nga komisioni administrativ, ku kryetar është ministri i Shëndetësisë. Kjo përkon edhe me ndryshimin e drejtimit të kreut të komisonit administrativ nga Ogerta Manastirliu tek Albana Kociu. Tani më për listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2024 duhet ngritur një komision i ri dhe mësohet se disa nga anëtarët nuk do të jenë në  grupet e punës.

Vonesa e miratimit të listës së re të barnave të rimbursueshme ka sjellë një sërë problemesh. Në treg ka mungesa të shumë barnave që janë në listën e barnave të rimbursueshme, pasi distributorët e barnave nuk duan të riskojnë të krijojnë stok pasi nuk kanë një përgjigje se kur mund të dalë lista dhe me çfarë çmimesh do të futen. Por ndërkohë një tjetër dëm është shkaktuar në buxhetin e fondit të kujdesit shëndetësor pasi çmimi barnave për llogaritet me kursin e këmbimit të euros në dy gjashtëmujore të vitit. Aktualisht po aplikohen çmime të përcaktuara me kursin e këmbimit të euros të gjashtëmujorit të parë të vitit, kur një euro këmbehej me 116 lekë ndërkohë që sot një euro këmbehet me 103 lekë.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se para pak ditësh janë miratuar çmimet dhe në bazë të tyre komisioni duhet të hartojë listën e re të barnave të rimbursueshme që sipas parashikimeve citojnë burimet mund të jetë gati në muajin prill.