Hamasi njoftoi se fati i shumë pengjeve izraelitë që po mbahen nga grupi është i panjohur, ndërsa ofensiva e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës vazhdon.

"Shumë pengje ndoshta janë vrarë, ndërsa të tjerët mbeten në rrezik të vazhdueshëm çdo orë", tha Abu Ubaida, zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Brigada Al-Kasam, gjatë fjalimit të tij të djeshëm në shënimin e 100 ditëve që kur Izraeli filloi sulmet në Gaza.

Ai theksoi se Izraeli është plotësisht përgjegjës për sigurinë e pengjeve izraelite.

Hamasi besohet se mban rreth 136 izraelitë pas sulmit ndërkufitar të 7 tetorit.

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës në të cilat vrau të paktën 23.968 palestinezë dhe plagosi 60.582 të tjerë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 85 për qind e popullsisë së Gazës është e zhvendosur brenda vendit dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa