Java e 19 e Superligës është mbyllur me Vllazninë, që siguroi fitoren e 4 radhazi në kampionat, teksa këtë herë mposhti 1-0 Kukësin, me golin e Grudës i cili realizoi që në minutën e parë.
“Mbas golit të shpejtë mua skuadra më la përshtypjen se kishte një vetëkënaqësi. Kishte edhe 90 minuta të tjera. Nuk duhet të veprojmë kështu. Përkundrazi. Kur shënon në fillim loja hapet dhe duhet të jetë më e lehtë, por për ne fakteqësisht u bë më e vështirë,”-u shpreh Qatip Osmani, trajneri i Vllaznisë.
Për Kukësin kjo humbje e dërgoi në 9 numrin e ndeshjeve pa fitore dhe e lë ekipin në vendin e 9. Për pasojë në Shkodër direkt pas ndeshjes trajneri Stavri Nica dha dorëheqjen, por brenda ekipit këmbëngulin se ai do vijojë.
“Profesori është me mua, do jemi bashkë deri në fund. Do arrijmë bashkë objektivin. Profesori është pjesë e ekipit dhe ai e ka ngritur ekipin në këto nivele. Loja e barabartë me të gjithë ekipet si me Vllazninë, ashtu me Partizanin, por edhe me Egnatian kryesuese. Ne kemi luajtur të barabartë me këto djem të rinj që ka Kukësi,”-tha Oltion Kërnaja, zv/trajner i Kukësit.
Po të dielën Laçi-barazoi 0-0 kundër Ereznit, ndërsa të shtunën Partizani fitoi 1-0 kundër Teutës. Goli i Tedi Carës me penallti i mban të kuqtë në vendin e dytë me 35 pikë, 5 më pak se Egnatia kryesuese që po të shtunën fitoi 1-0 kundër Skenderbeut. Java e 19 e Superligës nisi të premten me Tiranën që fitoi 2-3 derbin kundër Dinamos, ndërsa java e 20 e Superligës do të luhet të premten dhe të shtunën.