Në kuadër të fushatës “Zgjidh Zanatin”, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim në mjediset e reja të shkollës “28 Nëntori” në Burrel,  me drejtues të Bashkisë Mat, përfaqësues të drejtorisë arsimore, nxënës të klasave të nënta dhe të viteve të para gjimnaz të shkollave të Matit, mësues dhe prindër. Qëllimi i këtij takimi ishte promovimi i arsimin profesional, si një mundësi e shkëlqyer për një punë të sigurt dhe të mirëpaguar.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj theksoi ndryshimet dinamike në tregun e punës sot dhe nevojën për profesionistë dhe zanatçinj.

“Tregu i punës sot po ndryshon shumë. Kërkohet shumë profesionisti, kërkohet zanatçiu në një ekonomi, e cila është dinamike dhe që ndryshon shpejt. Për arsyet e zhvillimeve të kohës kërkohet që të rinjtë të dalin shpejt në tregun e punës për të mundësuar pikërisht zhvillimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Dhe ju e dini që Shqipëria në vitin që lamë pas ka pritur mbi 10 milionë turistë dhe imagjinoni sesa shumë shërbime duhet që ne të ofrojmë dhe shërbime cilësore, në hoteleri turizëm. Kemi nevojë që të kemi jo vetëm profesionistë të zotë, por të kemi edhe profesionistë të shumtë në numër,” tha ministrja.

Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me strukturat e Arsimit Profesional, për të mundësuar transferimin pa burokraci të nxënësve që kanë prirje drejt zanateve, nga vitet e para të gjimnazit, drejt shkollave profesionale, janë mbi 400 nxënës që kanë bërë këtë zgjidhje gjatë dy muajve të fushatës “Zgjidh Zanatin”.

Fushata “Zgjidh Zanatin”, e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka mundësuar që të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e arsimit profesional. Transferimi nga gjimnazi në arsimin profesional u ka ofruar nxënësve që kanë prirje dhe talente të veçanta, të ndjekin një rrugë më të përshtatshme për zhvillimin e tyre profesional dhe personal, në përgjigje të nevojave të tregut të punës./ata