Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit ka qenë i ftuar shkrimtari italian Gianni Palagonia, i cili sapo ka sjellë në shqip, përmes shtëpisë botuese “Dritan”, romanin “Shqiponja dhe Oktapodi”, përkthyer nga Ajsela Koka.
Romani trajton historinë e një polici italian, i i cili pasi përmbyll misionin e asgjësimit të Brigadave të Kuqe të Reja, caktohet për të punuar në Shqipëri. Rrugëtimi i tij nga Italia e pasur në Shqipërinë e varfër e përball me plot surpriza e realitete tashmë të harruara në jetën e përditshme, që e kthejnë pas në Siçilinë e fëmijërisë së tij, por edhe me fenomene të zhdukura me kohë në botën perëndimore, si Kanuni. Natyrisht që puna e lidhur me grupet kriminale do ta përballë me sfida e probleme të tjera sociale. Por “vendi i shqiponjave” do t’i hyjë aq thellë në zemër, sa një pjesë të tij e merr me vete përgjithmonë.
Siç thotë shkrimtari dhe gazetari italian, Carlo Lucarelli, “Ka disa realitete një hap larg nesh, që tashmë i kemi harruar. Gianni Palagonia na i rikthen me forcën e një stili “noir”, pasionin e një dashurie të madhe dhe strukturën joshëse të një romani të jashtëzakonshëm”.
Në fakt, Gianni Palagonia është pseudonimi i një polici, i cili sjell një histori të vërtetë në formën e një romani, bazuar mbi historinë e transferimit të tij, për punë, në Shqipëri./ata