Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga vizita, bashkë me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në kalanë e Gjirokastrës.

 

Kumbaro u shpreh se nga kalaja e Gjirokastrës, “shijon si në pëllëmbë të dorës gjithë çfarë ofron qyteti”.

 

Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, po viziton vendin tonë me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

 

Duke i paraprirë një takimi pune me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Azoulay vizitoi dje qendrën historike të Gjirokastrës, e klasifikuar që nga viti 2005 si trashëgimi botërore e UNESCO-s.

 

Vitet e fundit, Organizata ka mbështetur Shqipërinë në rehabilitimin e shtëpive të trashëgimisë së qytetit dhe në inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të qytetit, si pjesë e një qasjeje për promovimin e turizmit të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, vizituan dje edhe Muzeun e ri Etnografik, në Gjirokastër, ku krahas shumë aseteve kulturore spikat edhe isopolifonia./ATSH