Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon vizitën e parë zyrtare se, Korridori 8 do të transformojë pozitën strategjike të 2 vendeve.

Në deklaratën për shtyp me homologun, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, Hasani tha se, “një nga projektet më madhore e më transformuese për të cilin jemi duke punuar, bashkë me Italinë e Bullgarinë, por edhe me mbështetjen e partnerëve të tjerë, është padyshim Korridori i VIII-të, i cili tashmë, pas dekadash këmbëngulje nga vendet tona, nuk është më thjesht një projekt në letër, por pjesë e Korridoreve Pan-europiane”.

“Ky korridor, do të transformojë pozitën strategjike të vendeve tona, por do të transformojë njëkohësisht edhe ekonomitë tona e perspektivën tonë të zhvillimit. Prandaj duhet të investohemi për të eksploruar mënyrat sesi do të bashkëpunojmë për të nxjerrë nga Korridori i VIII, por edhe nga Plani i rritjes për BP, përfitimet maksimale për vendet tona e për mbarë rajonin”, u shpeh Hasani.

“Sot më shumë se kurrë vendet tona, shoqëritë tona ndajnë interesa të përbashkëta e një vizion të përbashkët për të ardhmen”, nënvizoi ai./ata