Në kuadër të turit 3-ditor rajonal, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, po zhvillon sot vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Pas takimit me ministrin për Punët e Jashtme të RMV, Bujar Osmani, ministri Hasani u takua me Zëvendëskryeministrin për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiç.

Hasani vlerësoi punën e shkëlqyer dhe përfundimin me sukses të procesit screening për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Si fqinjë të mirë, angazhimi ynë për të koordinuar përpjekjet për integrimin në BE mbetet i palëkundur, duke ruajtur aspiratat e përbashkëta të popujve tanë për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane”, u shpreh Hasani.

Më pas në orën 14:30 Hasani do të ketë takim me zëvendëskryeministrin e parë,  Artan Grubi dhe kryetarin e Partisë BDI, Ali Ahmeti.

Në orën 15:10 vizita vijon me një takim me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në orën 16:00 ministri Hasani do të takojë kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi dhe në orën 16:45 do të ketë takim me kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha.

Hasani e mbyll vizitën e parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një takim në orën 17:25 me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët,  Arben Taravari./ata