Pas qëndrimit në spital të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, për të cilin as presidenti Joe Biden nuk e dinte fillimisht, duke zënë ballinat e gazetave dhe duke shkaktuar habi, kanë dalë prova të reja që Austin donte ta mbante të fshehtë gjendjen e tij që në fillim.
Më 1 janar, personi që thirri 911 për të kërkuar një ambulancë për Austin, kërkoi që ajo të vinte pa ndezur dritat sinjalizuese ose sirenat e zakonshme, sipas regjistrimeve audio.
Në regjistrimet e telefonatave 911, të publikuara nga NBC News, ku dëgjohet zëri i një individi të paidentifikuar: "A nuk mund të vijë një ambulancë pa drita dhe sirena? Ne po përpiqemi të mos bëjmë bujë".
Sipas regjistrimit, Austin kishte përmendur ndjenjën se do t'i binte të fikët, megjithëse nuk kishte dhimbje në gjoks. Austin u shtrua në spital me komplikime për trajtim të kancerit të prostatës, njoftoi Pentagoni më 5 janar.
Disa pjesë të regjistrimit janë censuruar, sipas NBC news.
Austin, 70-vjeç, u diagnostikua me kancer në prostatë në vitin 2022 dhe iu nënshtrua një operacioni më 22 dhjetor. Ai doli nga spitali të nesërmen, por u ripranua më 1 janar pasi përjetoi komplikime.
Pentagoni fillimisht fshehu informacione rreth shtrimit të Austin nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, duke shkaktuar kritika nga anëtarët e Kongresit dhe publiku.
Në një deklaratë, Austin tha se ai ishte "mirënjohës për kujdesin që kam marrë nga profesionistët mjekësorë" në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed dhe mezi priste të kthehej në Pentagon sa më shpejt që të ishte e mundur.
Austin doli nga spitali këtë të hënë./aa