Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, Kurti dhe Plenkoviq kanë diskutuar për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin institucional të Kosovës në tre vitet e fundit si dhe për politikat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura nga Qeveria e Kosovës në këtë aspekt.

“Palët vijuan bisedën rreth fuqizimit të bashkëpunimit mes shteteve tona, të fokusuar në fusha të ndryshme e me rëndësi madhore për ne siç është edhe ajo e arsimit”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Plenkoviq për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Kroacisë ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Kosovës, e ku Kroacia edhe ka kontribuar përmes rritjes së prezencës së saj brenda trupave të KFOR-it.

Tutje, në takim, sipas komunikatës, është vlerësuar lartë edhe përkrahja e vazhdueshme e Kroacisë për Kosovën sa i përket dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare./aa