SHBA kreu sulme të reja ajrore që shënjestronin lançuesit e grupit Huthi të raketave balistike kundër anijeve.

"Tre sulmet e suksesshme të vetëmbrojtjes" kishin në shënjestër lançuesit e raketave balistike të grupit Huthi që ishin "të gatshme për të nisur sulme", u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

"Këto veprime, dua të theksoj përsëri, u bënë në vetëmbrojtje, por gjithashtu ndihmojnë në sigurimin e ujërave ndërkombëtare për anijet detare dhe për transportin tregtar", tha ai.

Sulmet përbëjnë valën e gjashtë të sulmeve kundër objektivave të grupit Huthi që kur SHBA dhe Britania e Madhe filluan t'i kryejnë këto sulme më 12 janar. Që atëherë, sulmet janë kryer pothuajse çdo ditë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pranoi se ata sulmet e aleatëve perëndimorë nuk e ndalojnë grupin Huthi nga kryerja e sulmeve të mëtejshme, por tha se SHBA do të vazhdojë t'i kryejë ato.

Grupi Huthi njoftoi se sulmet e tyre synojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur luftën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, e cila ka shkaktuar mbi 24 mijë viktima që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez, Hamas.

I pyetur se pse SHBA duhet të vazhdojë sulmet duke qenë se presidenti pranoi se ata nuk po e ndalin grupin Huthi, Kirby tha: "Me secilën nga këto sulme, ne po ua zvogëlojmë aftësinë grupit Huthi. Me secilën nga këto sulme, ne po e bëjmë më të vështirë për ta që të vazhdojnë të propagandojnë këto sulme".

"Agresorët SHBA-Mbretëri e Bashkuar shënjestruan zonën Al-Jabana"

Grupi Huthi njoftoi se SHBA dhe Britania e Madhe kryen dy sulme ajrore në qytetin perëndimor të Jemenit, Hodeidah.

"Agresorët SHBA-Mbretëri e Bashkuar shënjestruan zonën Al-Jabana në qytetin Hodeidah me dy sulme ajrore", tha në një deklaratë të shkurtër kanali Al-Masirah i drejtuar nga Huthi.

Natyra e objektivave nuk është përcaktuar ende.

Dje, grupi tha se goditi një anije amerikane në Gjirin e Adenit, duke shtuar se ishte në përgjigje të "agresionit" të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Jemenit dhe gjithashtu për të ndihmuar popullin palestinez.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit. Përdoret për të kaluar tranzit midis Kanalit të Suezit të Egjiptit dhe Gjirit të Adenit, duke u mundësuar anijeve të shmangin rrugën shumë më të kushtueshme dhe më të gjatë përgjatë bregut jugor të Afrikës./aa