Rrugëtimi i Shqipërisë si një aleat i besueshëm i NATO-s është një dëshmi e përkushtimit të palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta, sigurisë dhe paqes globale, u shpreh sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Peleshi theksoi se, arritjet e Forcave të Armatosura, janë rezultat i punës së palodhur të çdo efektivi që me përkushtim dhe profesionalizëm e kanë bërë Shqipërinë një bashkëpunëtore të besueshme në Aleancë dhe në arenën ndërkombëtare.

Peleshi ndaua edhe një video nga stërvitjet dhe operacionet e Forcave të Armatosura.

Komandanti i Regjimentit të Operacioneve Speciale, nënkolonel Ajet Jata u shpreh se, “Motoja e batalionit të Forcave Speciale është “Më mirë vdesim për diçka sesa të jetojmë për asgjë”.

Ai theksoi se, “kjo krijon atë ndjenjën e sigurisë për këtë rajon, ku këto forca operojnë së bashku dhe këto forca mund të sjellin paqe, stabilitet”.

“Kjo stërvitje synon të arrijë disa objektiva si, bashkëpunimin ushtarak ndërmjet këtyre vendeve, rritjen e aftësive operacionale të operatorëve specialë të cilët marrin pjesë në stërvitje, shkëmbimin e eksperiencave, si dhe ndërtimin e bashkëpunimit dhe të miqësisë ndërmjet operatorëve specialë të këtyre vendeve”, tha Jata.

Ai nënvizoi se, “kjo është një stërvitje e rëndësishme edhe në perspektivën e NATO-s, pasi bashkon këto vende së bashku për të zhvilluar një forcë speciale dhe duke i bashkuar së bashku këto forca rrisin interoperabilitetin e tyre për të ndërvepruar dhe për të operuar në misione të ndryshme”./ata