Një studente universiteti në Rusi, Olesya Krivtsova është detyruar të lërë shkollën pasi është vënë nën akuzë nga policia. Arrestimi i 20-vjeçares ka ardhur për shkak se ka postuar mesazhe kundër luftës Ukrainë-Rusi në rrjetet sociale.

 

Policia e ka dënuar me arrest shtëpie duke i vendosur shiritin elektronik në këmbë për të monitoruar çdo lëvizje të Krivtsovës.

 

Olesya ka postuar disa mesazhe ku një prej tyre ka patur të bejë me shpërthimin në urën që lidh Rusinë me Krimenë tetorin e kaluar.

 

“Unë postova një histori në Instagram për urën, duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur”, thotë Olesya për BBC.

 

Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën.

 

“Unë po flisja në telefon me nënën time,” kujton Olesya, “kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme.”

 

Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.

 

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet,” thotë Olesya. “Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja”.

 

Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të terroristëve dhe ekstremistëve në Rusi.

 

Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet.

 

Olesya ka një tatuazh në këmbën e saj të djathtë ku shfaqet Presidenti rus Vladimir Putin si një merimangë, me mbishkrimin “Big Brother po ju shikon”.