Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen që ofron për mbrojtjen e Izraelit.
Në një deklaratë nga Pentagoni thuhet se Austin në bisedën e tij telefonike me homologun izraelit Gallant ka diskutuar "pasojat e sulmeve që Irani i ndërmori ndaj Izraelit ditën e shtunë me 13 prill dhe të cilat u parandaluan me operacionin e mbrojtjes së përbashkët të forcave të SHBA-së, Izraelit dhe aleatëve".
Austin gjithashtu ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për mbrojtjen e Izraelit dhe "objektivin saj strategjik për stabilitetin rajonal", thotë deklarata.
- Tensionet Iran-Izrael
Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë 2 gjeneralë.
Pas sulmit, udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake iraniane u zotua për "hakmarrje vendimtare".
Më 13 prill, Irani lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit në një operacion të quajtur "Premtimi i Vërtetë", që zgjati disa orë, duke ndezur situatën tashmë të tensionuar rajonale.
Mediat izraelite pretendojnë se qeveria e Tel Avivit ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet në "mënyrë të hapur dhe efektive" ndaj sulmit ajror të Iranit./aa