Videot ku aktorët me famë botërore kanë dalë para kamerës duke lexuar akuzat në seancën e parë të çështjes së "gjenocidit" të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kanë marrë mijëra shikime.

Në videot e publikuara në gjashtë pjesë në kanalin Youtube të quajtur “The Palestine Festival of Literature”, 29 aktorë me famë botërore e mbështetën çështjen duke lexuar akuzat e bëra nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GJND.

Ndërsa çdo video arriti mijëra shikime, ajo u shikua gjithashtu qindra mijëra herë në platformën X.

Në mesin e emrave që lexuan akuzat në video ishin aktorët e serialit "Crown", Khalid Abdalla dhe Tobias Menzies, si dhe aktorët Charles Dance, Carice van Houten dhe Lena Headey të serialit "Game of Thrones".

Gjithashtu edhe aktori me origjinë izraelite Adam Bakri dhe aktori hebre Wallace Shawn, si dhe aktorja Cynthia Nixon, e cila mori pjesë në grevën e urisë duke kërkuar një armëpushim në Gaza para Shtëpisë së Bardhë, ishin ndër ata që dolën para kamerës dhe lexuan akuzat.

"Rasti i gjenocidit" i ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GJND

Afrika e Jugut ngriti një padi në GJND më 29 dhjetor të vitit 2023, me arsyetimin se sulmet e Izraelit në Gaza shkelnin Konventën e Gjenocidit dhe kërkoi një urdhër për masa të përkohshme kundër Izraelit.

Në kuadër të padisë, Afrika e Jugut i kërkon GJND-së të lëshojë nëntë urdhëresa të masave të përkohshme.

Në mesin e këtyre vendimeve përfshihet që "Izraeli duhet të ndërpresë menjëherë operacionet e tij ushtarake në Gaza, të marrë të gjitha masat e arsyeshme të nevojshme për të parandaluar gjenocidin kundër palestinezëve, të sigurojë që të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të sigurojë qasje në ndihmë humanitare, duke përfshirë ushqimin, ujin, karburantin, mjekësinë dhe higjienën, furnizime, strehim dhe veshje të mjaftueshme, hedhjen e hapave të nevojshëm për të ndëshkuar ata që janë përfshirë në gjenocid dhe ruajtjen e provave të gjenocidit".

Ndërsa Afrika e Jugut kërkoi nga GJND lëshimin e një urdhri të masave të përkohshme për shkak të urgjencës së situatës, pas përfundimit të seancave dëgjimore në datat 11-12 janar, gjykata filloi negociatat për vendimin duke shqyrtuar deklaratat dhe provat e palëve.

Nuk ka asnjë afat që i detyron gjyqtarët të shpallin vendimin, por kur shikojmë vendimet e mëparshme të GJND-së duket se kjo periudhë është disa javore për çështjet që kërkojnë urgjencë si gjenocidi./aa