Grupi jemenas Houthi të enjten tha se kishin goditur një anije amerikane në Gjirin e Adenit.
Duke folur për televizionin Al-Masirah, zëdhënësi i ushtrisë, Yahya Sarea, tha se sulmi ishte si kundërpërgjigje e agresionit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj Jemenit, si dhe për të ndihmuar popullin palestinez.
Sarea theksoi se sulmi u krye me raketa lundrimi.
Më herët, SHBA-ja njoftoi se kanë shkatërruar dy raketa anti-anije të Houthive në rajon.
“Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme shumëkombëshe për të mbrojtur lundrimin e lirë dhe për të parandaluar sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq, më 18 janar, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kryen sulme ndaj dy raketave anti-anije të Houthive që ishin drejtuar në jug të Detit të Kuq dhe ishin të përgatitur për lëshim”, tha Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM).
Më tej CENTCOM tha se forcat amerikane përcaktuan se raketat ishin një kërcënim i menjëhershëm për anijet tregtare dhe anijet e marinës amerikane në rajon.
“Forcat e SHBA-së më pas goditën dhe shkatërruan raketat në vetëmbrojtje”, thuhet më tej.
Houthitë thonë se sulmet e tyre kanë për qëllim të bëjnë presion ndaj Izraelit që të ndalojë luftën e tyre shkatërruese në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 24.620 njerëz dhe plagosur 61.830 të tjerë që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Izraeli thotë se rreth 1.200 njerëz u vranë, sipas të dhënave zyrtare dhe qindra të tjerë po mbahen si pengje në Gaza.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë nisur sulmet ajrore ndaj objektivave të Houthive për një javë në shenjë hakmarrjeje për sulmet, të cilat kanë krijuar frikën dhe shqetësimet për një periudhë të re inflacioni dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit.
Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit. Ai përdoret për të kaluar transit midis Kanalit të Suezit të Egjiptit dhe Gjirit të Adenit, që ju mundëson anijeve të shmangin rrugën shumë më të kushtueshme dhe më të gjatë përgjatë bregut jugor të Afrikës./aa