Terminali Lindor i autobusëve në kryeqytet tashmë është në funksion të plotë duke lehtësuar trafikun në një nga hyrjet me shumë lëvizje por edhe duke ofruar kushte për udhëtarët.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Terminali Lindor të cilin e cilësoi si një tjetër shembull i kalimit të infrastrukturës së shërbimeve në një nivel krejt tjetër.

Studentët dhe qytetarët, të cilët udhëtojnë nga lindja drejt Tiranës dhe anasjellas, nuk do të presin me orë të tëra për të marrë autobusin. Terminali është konceptuar si një pikë lidhje ndërmjet transportit urban, ndërqytetas dhe atij ndërkombëtar.

Terminali i ri, në afërsi të Unazës së Madhe dhe autostradës Tiranë-Elbasan, përbëhet nga mjedise të hapura, hollet, sallat e pritjes së qytetarëve, biletaritë, si dhe ambiente çlodhëse.

Terminali është i projektuar në 14 mijë metra katrorë dhe në të janë stacionuar të gjitha hyrje-daljet e autobusëve ndërurbanë dhe ndërkombëtarë, që vijnë nga krahu i rrugës së Elbasanit./aa