Valbona, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve, e ndodhur në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë në të gjitha stinët.

Reshjet e dëborës të rëna në këto ditë janari e shndërrojnë parkun në një vend magjik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Valbona, duke ftuar turistët vendas e të huaj për ta vizituar atë nën petkun e dëborës.

“Valbona është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine dhe ndër zonat më të vizituara të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë”, tha Kumbaro.

Lugina e Valbonës, e shpallur Park Kombëtar në janar të 1996-ës, ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit të Bajram Currit në Tropojë.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte./aa