Disa ndryshimet në Hagia Sophia kanë shkaktuar debate intensive në Turqi, sipas gazetës Cumhuriyet.

Sipas një publikimi të fundit, shkallët historike prej guri të monumentit janë mbuluar me parket. Siç thekson gazeta turke, ky është një ndryshim që ndoshta synon të mbrojë nga dëmtimet, megjithatë shumë e konsiderojnë të shëmtuar shtimin e parketit.

Por sipas historianit të artit Oğuzhan Karadirek, vendimi për vendosjen e parketit është marrë ndoshta sepse Hagia Sophia është një vend që tërheq shumë vizitorë. Sipas tij, nën parket është vendosur edhe një material i butë për t’u siguruar që shkallët prej guri të mos pësojnë dëmtime të mëtejshme ndërsa punimet restauruese vazhdojnë.

Kujtohet se që nga e hëna e kaluar ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë për vendosjen e biletës së hyrjes në Hagia Sophia për turistët e huaj.

Ministria ka përfunduar ndarjen e hyrjeve për ata që do të hyjnë në monument si besimtarë praktikantë dhe ata që do ta vizitojnë atë për qëllime kulturore apo turistike. Tarifa e hyrjes për të huajt që hyjnë në xhaminë historike për qëllime turistike është 25 euro.

Në një njoftim lidhur me këtë nga Ministria Turke e Kulturës dhe Turizmit thuhet: “Në kuadër të restaurimit dhe mbrojtjes së monumentit të nisur nga ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Ersoy, është planifikuar të vendoset një biletë në një vend të caktuar që tashmë ka është përgatitur për vizitorët dhe do të vihet në funksion më 15 janar. Përveç kësaj, janë instaluar kamera sigurie, sisteme për zbulimin e zjarrit dhe sisteme të njoftimit emergjent, ndërsa janë marrë masa mbrojtëse përgjatë rrugës së vizitës së xhamisë”.

Në të njëjtin njoftim theksohet se “qytetarët e Republikës Turke që do të vizitojnë xhaminë për qëllime të adhurimit fetar do të vazhdojnë të hyjnë pa pagesë përmes hyrjes së parashikuar për këtë arsye”.

Në raportet e shtypit turk theksohet se punimet e pastrimit dhe mbrojtjes së mbulesave të mermerit dhe kangjellave prej druri në dyshemenë e galerisë së monumentit janë kryer pas miratimit dhe mbikëqyrjes së komisionit shkencor kompetent.

Gjithashtu, me një sistem të veçantë kufjesh dhe me një kod QR, vizitorët do të mund të informohen për monumentin në 23 gjuhë në një mjedis të qetë pa i shqetësuar besimtarët që do të luten në të. /tesheshi.com/